Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar sot grevën historike të urisë të minatorëve të Trepçës, të nisur më 20 shkurt 1989 nga rreth 1350 minatorë, të cilët u ngritën kundër politikave shtypëse të regjimit hegjemonist serb.
“Të barrikaduar në thellësitë e minierës së Stan Tërgut për tetë ditë radhazi, ata u shndërruan në simbol të guximit dhe dinjitetit. Me rezistencën e tyre, minatorët krijuan solidaritet e unitet popullor në mbarë Kosovën”.
Osmani tha se sakrifica e tyre dridhi themelet e një pushteti që promovonte diferencim e pabarazi.
“Sakrifica e tyre u kthye në kushtrim lirie dhe dëshmoi se rruga drejt lirisë hapet nga guximi i atyre që nuk dorëzohen”.