Një nga destinacionet më të njohura turistike të Kroacisë po propozon kufizime të reja për shitjen e alkoolit.
Qyteti bregdetar i Splitit synon të vendosë masa këtë verë për të frenuar turistët e dehur që shqetësojnë banorët.
Kryebashkiaku Tomislav Shuta deklaroi për mediat kroate se “krijohen situata që dëmtojnë sigurinë dhe cilësinë e jetës së banorëve”.
Këshilltarët bashkiakë kanë paraqitur një propozim për të ndaluar shitjen e alkoolit gjatë natës në zona të caktuara të qytetit ku ka përqendrim të lartë klubesh, baresh dhe dyqanesh 24-orëshe.
Sipas planit, alkooli nuk do të mund të shitet nga ora 20:00 deri në 06:00.
Kufizimet do të zbatohen për supermarketet dhe dyqanet e pijeve, por jo për klubet dhe restorantet, që do të thotë se vizitorët do të mund të konsumojnë ende pije në ambientet e licencuara gjatë natës.
Masat e reja pritet të hyjnë në fuqi që këtë verë dhe mund të zgjerohet edhe në zona të tjera të qytetit.
“Spliti mund të ketë theksuar më parë imazhin e një destinacioni feste,” thotë Darijo Šarić, CEO i agjencisë së vilave luksoze VIP Holiday Booker.
“Megjithatë, turizmi kroat po ripozicionohet duke u larguar nga ky reputacion dhe duke u fokusuar te trashëgimia kulturore, bukuritë natyrore dhe një mjedis miqësor për familjet.”
Ai shton se synimi është që sjelljet e dehura të zhvendosen nga rrugët publike drejt ambienteve të përshtatshme, duke inkurajuar konsum të përgjegjshëm dhe jo “ndalimin e argëtimit”.
Kroacia ashpërson masat ndaj turistëve problematikë
Kroacia tashmë ka disa rregulla për të luftuar sjelljen e papërgjegjshme të turistëve.
Në shumë qendra qytetesh, përfshirë Splitin dhe Dubrovnikun, gjobat në vend mund të arrijnë deri në 700 euro për sjellje të papërshtatshme, si konsumimi i alkoolit ose drogës në hapësira publike, urinimi apo të vjellat në publik, si dhe ecja pa bluzë ose me rroba plazhi në qytet.
Gjobat për prishje të rendit publik, përfshirë zënkat, sharjet apo sjelljen e dehur, mund të arrijnë deri në 4,000 euro.
Gjithashtu, marrja nga plazhet e guackave të rralla “noble pen shell”, një specie e rrezikuar që luan rol kyç në ekosistemin e Mesdheut, dënohet me 67 euro gjobë për çdo guackë.

Vitin e kaluar, edhe ishulli Hvar ndërmori hapa për të kufizuar turizmin e festave duke mbajtur kufizimet verore, që ndalojnnë zhurmën në 85 decibel, sa një restorant i zhurmshëm, duke prekur klubet e natës dhe restorantet me aktivitete në ambient të hapur. / Euronews