Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike, ligji për çmimet tavan.
Ajo tha se ndërmori këtë hap duke e pasë parasysh edhe “premtimin e Kryeministrit Kurti për miratimin e tij që në fillim të mandatit të ri”.
“Ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg”, shkroi ajo.
Kusari-Lila tha se ky projektligj krijon bazën ligjore për “ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur përballemi me: rritje të papritura të çmimeve; mungesë të produkteve themelore; çrregullime në furnizim”.
Në arsyetim, Kusari-Lila tha se qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por “mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize”.
“Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik. Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide. Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik”./Express/