Kallëzime penale për rastin “Marihuana”, hetimet vazhdojnë - Gazeta Express
string(55) "kallezime-penale-per-rastin-marihuana-hetimet-vazhdojne"

Maqedoni

Gazeta Express

20/02/2026 10:43

Kallëzime penale për rastin “Marihuana”, hetimet vazhdojnë

Maqedoni

Gazeta Express

20/02/2026 10:43

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se ndaj 10 personave është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, të dyshuar se lidhen me prodhimin e paligjshëm dhe shpërndarjen e drogës narkotike.

Dy prej të dyshuarve tashmë ndodhen në paraburgim 48-orësh, ndërsa hetimi i drejtuar nga MPB-ja në koordinim me Prokurorinë lidhet edhe me drogën e gjetur në Serbinë fqinje, për të cilën ka indikacione se vjen nga kapacitetet prodhuese për të ashtuquajturin kanabis mjekësor në vendin tonë.

Ministri Toshkovski në “Clik Plus” të TV21, theksoi se kallëzimi penal është rezultat i një hetimi të gjerë dhe veprimeve të ndërmarra gjatë periudhës së fundit.

“Në këtë fazë të hetimit është dorëzuar kallëzim penal për 10 persona për të cilët kemi dyshime të arsyeshme se janë drejtpërdrejt ose tërthorazi të lidhur me prodhimin e paligjshëm dhe shpërndarjen e drogës së prodhuar,” theksoi ministri Toshkovski.

Gjatë kontrolleve të kryera në kapacitetet prodhuese nëpër vend, janë sekuestruar rreth 40 tonë marihuanë, për të cilën një komision kompetent konstatoi se nuk ishte trajtuar në përputhje me ligjin.

“Indikacionet që kishim për prodhimin, trajtimin dhe ruajtjen e paligjshme u konfirmuan dhe droga e gjetur, për të cilën u konstatuan shkeljet ligjore, u sekuestrua,” nënvizoi Toshkovski.

Ministri njoftoi se kontrollet treguan se disa nga kompanitë operonin plotësisht ligjërisht dhe profesionalisht, por tek disa të tjera u gjetën shkelje serioze, për të cilat droga u sekuestrua.

“Ngrihet pyetja se ku do të përfundonin ato 40 tonë droga nëse nuk do t’i sekuestronim,” tha Toshkovski.

Në lidhje me rastin e sekuestrimit në Serbi, Toshkovski theksoi se ka prova që tregojnë se droga ka hyrë nga Maqedonia dhe se hetimi po kryhet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet serbe. Sipas tij, pyetja kryesore është se si një sasi kaq e madhe e drogës ka hyrë në territorin e Serbisë, duke marrë parasysh funksionimin e kontrollit të përbashkët kufitar.

“Marrëveshja për sistemin One Stop është e tillë që çdo polic kufitar i MPB-së, gjatë kontrollit kufitar, mbron hyrjen në Maqedoni, pra daljen nga Serbia dhe hyrjen në Maqedoni. Policia maqedonase kontrollon hyrjen në Maqedoni, ndërsa policia serbe kontrollon hyrjen në Serbi. Pra, nuk është çështja se si ka dalë nga Maqedonia, por si ka hyrë në Serbi. Kjo është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për pjesën tjetër të institucioneve do të shihet nga hetimi,” tha Toshkovski.

Qeveria ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë dhe komisionin kompetent, në bashkëpunim me MPB-në dhe institucionet e tjera, të kryejnë kontrolle në të gjitha kapacitetet e licencuara prodhuese, me qëllim të përcaktimit të plotë të gjendjes faktike dhe sanksionimin e çdo shkeljeje ligjore.

“Duhet sa më shpejt të përcaktojmë gjendjen faktike dhe të ndalojmë situatën kaotike që kemi trashëguar,” nënvizoi ministri Toshkovski dhe shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë me kontrolle të përforcuara dhe aktivitete për të zbardhur të gjitha rastet e lidhura me prodhimin dhe tregtimin e paligjshëm të drogës.

Advertisement
Advertisement
Advertisement