Kurti i injoron zhvillimet në Uashington ku Presidentja u zotua për dërgimin e FSK'së në Gaza e Rama kërkoi ndërhyrje për Specialen - Gazeta Express
string(130) "kurti-i-injoron-zhvillimet-ne-uashington-ku-presidentja-u-zotua-per-dergimin-e-fskse-ne-gaza-e-rama-kerkoi-nderhyrje-per-specialen"

Lajme

Gazeta Express

20/02/2026 10:39

Kurti i injoron zhvillimet në Uashington ku Presidentja u zotua për dërgimin e FSK’së në Gaza e Rama kërkoi ndërhyrje për Specialen

Lajme

Gazeta Express

20/02/2026 10:39

Edhe si kryeministër me mandat të plotë Albin Kurti nuk foli për ngjarjet e djeshme në Uashington ku presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në takimin e parë inaugurues të Bordit të Paqes, një nismë e presidentit amerikan, Donald Trump, që fillimisht do të merret me Gazën e pasluftës.

Presidentja Osmani atje është zotuar për dërgimin e FSK-së në Gaza si kontribut i Kosovës si shtet themelues i këtij bordi derisa vende të tjera pjesëmarrëse do të kontribuojnë edhe me para për rindërtimin e Gazës.

“Sot zotimi ishte politik. Dokumenti që kemi nënshkruar reflekton interesin e shteteve anëtare për të kontribuar, ndërsa interesi nga Kosova është prezantuar zyrtarisht që në dhjetor të vitit të kaluar në Doha, ku me pëlqimin tonë, Komandanti i FSK-së e ka përfaqësuar Kosovën. FSK-ja ka treguar në cilat sektorë mund të marrë pjesë në fazën e parë dhe fazën e dytë, kur situata është më e sigurt. Të gjitha këto janë dokumentuar dhe janë dërguar me shkrim nga ana e FSK-së tek unë”, sqaroi Osmani dje nga Uashingtoni.

Për Kosovën nuk foli vetëm Osmani në këtë takim.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij para Trump e ngriti çështjen e Gjykatës Speciale dhe gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke i kërkuar “të bëjmë diçka” dhe duke përmendur edhe ish-prokurorin Jack Smith që e kishte hetuar Trumpin.

Por, për këtë ngjarje në Uashington nuk foli kryeministri Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Për Bordin e Paqes Kurti kishte folur shkarazi kur i ishte kërkuar nga gazetarët në fund të janarit pas pjesëmarrjes së Osmanit në ceremoninë e themelimit të këtij mekanizmi në Davos të Zvicrës.

Kurti, pa komentuar për këtë nismë, kishte përmendur gatishmërinë që ka që FSK-ja të japë kontribut në paqe në vendet ku ka nevojë.

“Kemi filluar së pari me pjesëmarrjen tonë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gaza dhe aty unë e di që Kosova është përfaqësuar në konferencën në Doha në Katar nga Bashkim Jashari. Kemi shprehur gatishmërinë tonë që të marrim pjesë këtu ku FSK është e mirënjohur për kërkim-shpëtim dhe deminim dhe jo vetëm. Ne kemi qenë të interesuar që të marrim pjesë në organet vendimmarrëse politike për këtë forcë. Procesi do të ecë më tutje”, kishte thënë atëherë Kurti.

Ndërkaq, për një koment më direkt për Bordin e Paqes, Kurti ishte arsyetuar se nuk kishte mandat të plotë si kryeministër meqë qeveria ende s’ishte e formuar.

“Unë jam kryeministër në detyrë, nuk jam ende në mandatin tim të tretë. Kudo që ka nevojë për paqe në botë, ne dëshirojmë që të kontribuojmë sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë përmes forcave ndërkombëtare, andaj tash duam që të marrim pjesë me forcat tona dhe kapacitetet tona edhe në paqe në vende të ndryshme në botë”./Express/

Advertisement
Advertisement
Advertisement