Njohësit e shohin vështirë të realizueshme “nismën” që presidenti të zgjidhet nga populli - Gazeta Express
string(87) "njohesit-e-shohin-veshtire-te-realizueshme-nismen-qe-presidenti-te-zgjidhet-nga-populli"

Lajme

Gazeta Express

20/02/2026 7:48

Njohësit e shohin vështirë të realizueshme “nismën” që presidenti të zgjidhet nga populli

Lajme

Gazeta Express

20/02/2026 7:48

Dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit të paraparë me Kushtetutë e çon Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Vitin e shkuar, presidentja Vjosa Osmani, pas diskutimeve që i ka zhvilluar me përfaqësues të partive politike, pati deklaruar se zgjidhja për evitimin e këtyre zgjedhjeve është që zgjedhja e kryetarit të shtetit të bëhet drejtpërsëdrejti nga populli.

Këtë qëndrim të Osmanit e kanë konfirmuar në zyrën e saj, porse prej dy javësh në Presidencë nuk kanë treguar se cilat janë veprimet që janë ndërmarrë në këtë drejtim dhe se cilat janë sfidat eventuale për jetësimin e kësaj mundësie.

“Presidentja Osmani është përkrahësja më e madhe e një procesi të zgjedhjes së drejtpërdrejtë nga populli”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

Njohës të proceseve politike e kanë kualifikuar zgjedhjen e presidentit me votë të qytetarëve në vend të asaj të deputetëve në Kuvend si pasurim të demokracisë porse edhe si vështirë të realizueshëm, kryesisht për shkak të mungesës së përkrahjes nga komuniteti serb për ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

Eugen Cakolli, i cili është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se pa përkrahjen politike, kandidatët për presidentë nuk mund t’i sigurojnë votat e nevojshme.

“Besoj që zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit apriori iu konvenon partive që janë në trend të rritjes ose kanë përkrahje të madhe qytetare dhe për ta marrë si shembull, në rastin aktual po të zgjidhej presidenti drejtpërdrejt, atëherë normalisht që partia fituese, me numrin më të madh të deputetëve, nuk do të kishte nevojë për shumë kompromise me partitë e tjera për ta arritur atë marrëveshjen e nevojshme politike”, ka theksuar Cakolli.

Analisti Afrim Kasolli ka shprehur qëndrimin se ndryshimi i mënyrës së votimit për presidentin nuk do të ndikonte në klimën politike që presidenti të jetë i shkëputur nga subjektet politike.

“E shoh të pamundur një fitore të asaj pozite në zgjedhje nëse nuk është i lidhur me njërën prej subjekteve kryesore politike. Ne kemi edhe vende në rajon, si Republika e Maqedonisë së Veriut, që presidenti zgjidhet drejtpërdrejt prej popullit, por asnjëri prej tyre nuk del pa mbështetje të një subjekti parlamentar”, ka theksuar ai.

E njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhirin, mendon se partitë nuk janë të gatshme për ta bërë një ndryshim të tillë.

“Nuk besoj që partitë politike janë të gatshme që këtë pushtet, këtë vullnet ta delegojnë te qytetarët, sepse kjo u konvenon atyre shumë. U jep një lloj fuqie të madhe politike dhe u mundëson që të bëjnë edhe kalkulime të tjera, veçanërisht në raport me qeverinë apo me postin e kryeparlamentarit. Kështu, parimisht, do të ishte shumë më e drejtë, shumë më e duhur, por nuk besoj që klasa politike kosovare është deri në atë nivel të emancipimit politik që ta pranojë dhe ta zbatojë këtë gjë”, është shprehur ai.

Kushtetuta e Kosovës parasheh se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Osmani është zgjedhur presidente më 4 prill të 2021-tës, ndërsa detyrën e ka marrë një ditë më pas.

Advertisement
Advertisement
Advertisement