Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në takimin e Bordit të Paqes ka ftuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, që të veprojë lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale përpara se të jetë vonë, shkruan Gazeta Express.
Rama ka thënë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte parandaluar për të nënshkruar marrëveshjen e Washingtonit nga prokurori Jack Smith, i cili iu vu pas edhe vetë presidentit amerikan.
Kryeministri shqiptar tutje ka thënë se tashmë Thaçi po i bën gjashtë vite në burg të një gjykate që sponsorizohet nga disa shtete demokratike, që sipas Ramës ato duhet të jenë të turpëruara nga një lloj i tillë i drejtësisë ndërkombëtare.
“Presidenti i Kosovës atëherë u pengua brutalisht të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për ta nënshkruar atë marrëveshje në prani të Presidentit Trump. Dhe kjo ishte vepër e po atij prokurori “sicario” që kishte shkuar edhe pas vetë Presidentit Trump dhe për këtë u bë i famshëm në mbarë botën”, ka thënë Rama, raporton Express.
“Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar tashmë gjashtë vite në paraburgim para një gjykate speciale në Hagë, e sponsorizuar nga disa shtete demokratike, disa prej tyre të pranishme këtu, të cilat duhet të turpërohen për këtë lloj drejtësie ndërkombëtare.Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh dhe taksapaguesit e tij kërkoi 45 vite burgim për të, një kërkesë që dërgoi valë tronditëse poshtërimi nëpër një komb të tërë që kërkon paqe”, ka shtuar Rama.
“Në këtë moment, vetëm pak muaj e ndajnë një njeri që u ngrit nga rezistenca kundër spastrimit etnik për t’u bërë paqebërës nga një përfundim potencialisht shkatërrues në një gjykatë që deri më tani ka dështuar në çdo hap për të respektuar standardet e drejtësisë demokratike.Për hir të Zotit, zoti President, le të bëjmë diçka para se, siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të ndodhin përsëri”, është shprehur Rama./GazetaExpress/
