Ka kundërshtime të forta mes pushtetit dhe opozitës për nevojën e vazhdimit të ligjit deri në vitin 2031. Ky ligj, i miratuar fillimisht në 2011, është treguar i pamjaftueshëm dhe ka prodhuar ndërtime të reja pa leje dhe më shumë korrupsion, tha koordinatori i LSDM-së, Oliver Spasovski.
“Është fakt se, nëse nuk ndryshon diçka në planifikimin urban, ligji për ndërtimin na detyron të përballemi përsëri me ndërtime të reja pa leje. Që nga përfundimi i afatit të aplikimit në 2011 deri sot, janë ndërtuar mijëra objekte pa leje në territorin e shtetit”, tha Oliver Spasovski – LSDM.
Sipas Rexhep Ismailit nga Levica, ligji po shfrytëzohet prej 15 vitesh, pasi mjafton një deklaratë noteriale që objekti është ndërtim pa leje nga viti 2011.
“Me këtë ligj praktikisht legalizohet vepra penale e ndërtimit pa leje. Prioriteti i BNJVL është të vazhdojë legalizimi i ndërtimeve ilegale, duke u mundësuar ndërtuesve të aplikojnë përsëri, përfshirë edhe hotelin e Mijalkov”, u shpreh Rexhep Ismail – Levica.
Pushteti thotë se qëllimi është që qytetarët të mos mbeten me status të pazgjidhur dhe ligji nuk lejon ndërtime të reja pa leje.
“Vazhdimi i afatit nuk krijon mundësi për kërkesa të reja, por për kërkesat ekzistuese, të cilat mund të përfundojnë edhe brenda 5 viteve. Ka të drejtë ekskluzive për përfundimin e procedurave tashmë të nisura sipas ligjit”, tha Bekim Qoku, VLEN.
Malisha Stankoviç nga koalicioni qeverisës pranon se sistemi në këtë pjesë nuk funksionon.
“15 vite më vonë, ende kemi çështje të pazgjidhura. Sistemi nuk funksionon dhe ne duhet të vazhdojmë afatin. E mbështes ligjin nga ky këndvështrim, por duhet të jemi të vetëdijshëm se sistemi në shtet nuk funksionon”, theksoi Malisha Stankoviç – PSM.
Ky ligj u miratua për herë të parë në 2011 dhe me zgjatjen e afatit për 5 vite, deri në 2031, ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje do të vlejë për 20 vite.
tag_katrorimaqedoni_2