Irfan Buçi, njëri nga themelues e Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit dhe ish-zëvendësdrejtor i Doganave të Maqedonisë së Veriut në kohën e BDI-së, ka njoftuar rikthimin e tij pranë partisë Ali Ahmetit, duke theksuar se vendimi vjen pas një periudhe reflektimi dhe zhgënjimi nga Qeveria e VLEN-it.
Në një status publik, Buçi shprehet se pas vitit 2021 ishte larguar nga Ahmeti, periudhë të cilën e përshkruan si kohë distance dhe ndikimi nga persona me “prapavijë të dëmshme” për të dhe për shqiptarët. Megjithatë, sipas tij, zhvillimet e fundit politike dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e kanë shtyrë të rikthehet aktivisht në anën ku, siç thotë, “ideali ruhet”. “Rikthimi im nuk është për interesa personale, por për bindje. Ka momente kur secili duhet të vendosë se në cilën anë qëndron. Sot zgjedh të rikthehem aty ku besoj se qëndresa ka kuptim dhe bashkimi është më i domosdoshëm se kurrë”, shkruan Buçi. Ai thekson se tani është koha për të mos qëndruar anash, por për të qenë aty ku “zëri shqiptar bëhet më i fortë”, duke konfirmuar kështu rreshtimin e tij politik pranë liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ndryshe, dje, u publikua një foto ku shihej Irfan Buçi në shoqëri të Blerim Bexhetit dhe Ilaz Leskovicës nga BDI. (koha.mk)

tag_katrorimaqedoni_2