Politico: SHBA-ja i bën presion NATO-s për një rikonfigurim të madh, përfshirë zvogëlimin e trupave në KFOR - Gazeta Express
string(105) "politico-shba-ja-i-ben-presion-nato-s-per-nje-rikonfigurim-te-madh-perfshire-zvogelimin-e-trupave-ne-kfor"

Gazeta Express

19/02/2026 11:49

Politico: SHBA-ja i bën presion NATO-s për një rikonfigurim të madh, përfshirë zvogëlimin e trupave në KFOR

Gazeta Express

19/02/2026 11:49

SHBA-ja nën Donald Trump po e shtyn NATO-n të shkurtojë shumë nga aktivitetet e saj të jashtme, duke përfshirë edhe përfundimin e një misioni kyç të aleancës në Irak, thanë katër diplomatë të NATO-s për Politico.

SHBA-ja gjithashtu ka lobuar në muajt e fundit për të zvogëluar operacionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë dhe për të penguar Ukrainën dhe aleatët e Indo-Paqësorit të marrin pjesë zyrtarisht në samitin vjetor të aleancës në korrik në Ankara, transmeton Gazeta Express.

Siç raporton Politico, kjo përpjekje pasqyron një nismë të Shtëpisë së Bardhë për ta trajtuar NATO-n si një pakt mbrojtës rreptësisht euroatlantik dhe për të zhbërë dekada zgjerimi drejt menaxhimit të krizave, partneriteteve globale dhe nismave të udhëhequra nga vlerat, të cilat prej kohësh e kanë irrituar presidentin e SHBA-së dhe bazën e tij MAGA.

Nën nxitjen e Uashingtonit, NATO do të kufizonte të ashtuquajturat “aktivitete jashtë zone”, që shkojnë përtej detyrave thelbësore të aleancës për mbrojtje dhe parandalim. Kjo nismë është quajtur brenda radhëve si një “kthim në parametrat fillestarë”, thanë katër diplomatët, të cilëve u ishte garantuar anonimati për të folur lirshëm mbi këtë çështje të ndjeshme të brendshme.

Përpjekja mund të sjellë një reduktim të shpejtë të aktiviteteve të NATO-s në ish-zonat e luftës, si dhe përjashtimin e kryeqyteteve, përfshirë Kievin dhe Kanberrën, nga diskutimet zyrtare këtë verë.

Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte publikisht mbi programet e partneritetit dhe operacionet globale të NATO-s kur u kontaktua nga POLITICO.

Tërheqja në Kosovë

SHBA-ja ka sinjalizuar gjithashtu se duan të zvogëlojnë misionin në Kosovë, KFOR, të udhëhequr nga NATO, sipas katër diplomatëve, gjë që është edhe më shqetësuese për aleatët europianë, edhe nëse diskutimet për këtë mbeten në një fazë shumë të hershme.

Misioni ndërkombëtar paqeruajtës i autorizuar nga OKB-ja, i cili nisi në vitin 1999 pas luftërave jugosllave, aktualisht përfshin rreth 4,500 trupa.

Engjëllushe Morina, një bashkëpunëtore e lartë e politikës në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se misioni mbetet “i domosdoshëm” për sigurinë rajonale.

“Nëse NATO tërhiqet, kjo mund të inkurajojë separatistët serbë në veri të Kosovës”, tha ajo, duke shtuar se kjo krijon një efekt kopjimi midis serbëve etnikë në rajonin e Republika Srpska të Bosnjës.

“Jemi mjaft të shqetësuar” për përpjekjet për të shkurtuar misionin, tha një diplomat i pestë i lartë i NATO-s, pasi “gjërat në Ballkanin Perëndimor mund të përshkallëzohen shpejt”.

I kontaktuar nga POLITICO, një zyrtar i NATO-s që fliste në emër të organizatës tha se “nuk ka një afat kohor të lidhur me Misionin e NATO-s në Irak… ose me KFOR-in”, duke shtuar:

“Këto misione bazohen në nevojë, i nënshtrohen rishikimit periodik dhe përshtaten me evoluimin e rrethanave”.

Për momentin, nuk është marrë asnjë vendim për përfundimin e asnjërës prej operacioneve.

Të 32 aleatët duhet të miratojnë fillimin dhe përfundimin e misioneve, një proces që zakonisht përfshin manovra politike dhe fushata presioni nga disa aleatë, jo vetëm nga SHBA-ja.

Detajet e reja vijnë pasi zëvendës shefi i Pentagonit të SHBA-së, Elbridge Colby, së fundmi shpjegoi mendimin e administratës pas asaj që ai e quajti “NATO 3.0”.

“Jo çdo mision mund të jetë prioriteti kryesor. Jo çdo kapacitet mund të jetë i luksit maksimal”, i tha Colby ministrave të mbrojtjes të aleancës javën e kaluar, duke përsëritur se SHBA-ja mbetet e angazhuar për sigurinë evropiane.

“Masa e seriozitetit është nëse forcat europiane mund të luftojnë, të mbahen dhe të triumfojnë në skenarët që janë më të rëndësishëm për mbrojtjen e aleancës”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement