Anipse tashmë janë shfaqur gatishmëri që të diskutohet për zgjedhjen e presidentit të ri, diçka e tillë, të paktën haptazi, ende s’ka ndodhur. Asnjë takim mes partive politike, e asnjë i tillë mes partive e presidentes aktuale Vjosa Osmani, s’është zhvilluar, me aq sa dihet. Diçka e tillë s’ka ndodhur pavarësisht dëshirës së shfaqur nga Osmani për të pasur një mandat të dytë në krye të shtetit, shkruan Gazeta Express.
Përveç afateve kushtetuese që po shkojnë drejt fundit, një deklaratë e Kryeministrit Kurti la të nënkuptohej se mundet që edhe ‘’brenda ditës’’ të bëhen diskutime për pozitën e presidentit.
“Brenda ditës do të fillojmë konsultimet për Presidentin apo Presidenten e Kosovës”, u deklarua dy ditë më parë Kurti. Pikërisht atë ditë në Kosovë ishte Kryeministri Edi Rama i cili takoi edhe Osmanin edhe Kurtin, por shumëkush shfaqjen e tij krah Osmanit këto ditë dhe deklaratat për të i pa si mbështetje për të, për rizgjedhje. Sido që të jetë, diçka e tillë s’ka ndodhur. Partitë vazhdojnë të zgjedhin ‘’heshtjen’’ përballë kësaj teme, edhe pse afati po shkon drejt fundit.
Madje, as kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, s’është prononcuar nëse diçka po zhvillohet rreth postit të presidentit.
E pyetur se a ka diskutime për këtë pozitë, Haxhiu gazetarëve, u tha se për këtë çështje duhet të flasin me ‘’përfaqësues të VV’së’’, anipse edhe ajo vetë është nga kjo parti.
Edhe partitë opozitare, si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, s’janë deklaruar qartazi për një emër të caktuar. Të njëjtat, kanë bërë thirrje për konsensus e për marrëveshje, pa treguar qëndrim të prerë.
Për dallim nga partitë, e vetmja që vazhdon të deklarohet është Osmani. Kjo e fundit, në një intervistë për Kanal10, u shpreh se ajo pret mbështetjen e deputetëve të legjislaturës së re.
“Pres mbështetje nga të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha partitë politike që ia duan të mirën Kosovës, pa dallim”, tha ajo.
Ndryshe, presidenti i ri i vendit parashihet që të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Osmanit. Për këtë, Haxhiu sot deklaroi se ‘’sipas interpretimeve, më 4 mars gjithçka do të përfundojë’’ sa i përket kësaj çështjeje. /Express