Është e njohur se zia nuk ndjek një rrugë lineare. Por për një përqindje të vogël njerëzish, ajo nuk mbaron kurrë.
Studimet tregojnë se rreth 10% e personave që humbin një të dashur zhvillojnë çrregullimin e zisë së zgjatur (Prolonged Grief Disorder – PGD), një gjendje që karakterizohet nga ndjenja shumë të forta trishtimi, faji apo boshllëku, të cilat zgjasin më shumë se gjashtë muaj.
PGD është një çrregullim psikiatrik i njohur zyrtarisht nga World Health Organization që prej vitit 2018 dhe shoqërohet me nivele të larta shqetësimi emocional të lidhur drejtpërdrejt me humbjen.
Sipas NHS, personat me këtë çrregullim kalojnë shumë kohë duke menduar për të ndjerin, kanë vështirësi ta pranojnë vdekjen, mund të kenë mendime vetëvrasëse dhe e kanë të vështirë të rikthehen në aktivitetet e përditshme. Shpesh ndihen sikur jeta ka humbur kuptimin, sikur kanë humbur një pjesë të identitetit të tyre, ose thjesht nuk arrijnë ta pranojnë humbjen, edhe pse e dinë se ajo ka ndodhur.
Humbjet e papritura apo traumatike rrisin rrezikun për PGD, por jo të gjithë ata që përjetojnë humbje të tilla zhvillojnë këtë gjendje – një fakt që prej kohësh i ka lënë studiuesit pa një shpjegim të qartë.
Çfarë thotë studimi i ri?
Në një rishikim të ri shkencor, të publikuar në revistën Trends in Neurosciences, studiues nga University of New South Wales në Australi kanë analizuar atë që dihet deri tani për bazën neurobiologjike të PGD-së dhe pse ajo vazhdon tek disa individë.
Sipas tyre, PGD ndan disa modele aktiviteti në tru me depresionin dhe ankthin, por përfshin edhe aktivizim të sistemeve që lidhen me shpërblimin dhe lidhjen emocionale. Kjo sugjeron se disa njerëz përjetojnë një lloj “dëshirimi” të thellë psikologjik për praninë e personit të humbur, gjë që e bën shumë më të vështirë ecjen përpara.
Autori kryesor i studimit, Richard Bryant, shpjegon:
“Çrregullimi i zisë së zgjatur është relativisht i ri si diagnozë psikiatrike. Nuk është se bëhet fjalë për një lloj tjetër zije; thjesht personi mbetet i ngecur në zi. Kjo përputhet me idenë se zia karakterizohet nga një mall i fortë, një dëshirë e vazhdueshme për të ndjerin.”
Çfarë ndodh në tru?
Si një diagnozë relativisht e re, të dhënat për PGD janë ende të kufizuara. Shumica e studimeve bazohen në skanime funksionale të trurit (fMRI), të cilat matin ndryshimet në qarkullimin e gjakut ndërsa personat shikojnë fotografi të të ndjerit ose mendojnë për humbjen e tyre.
Analizat tregojnë se PGD lidhet vazhdimisht me ndryshime në qarqet e trurit që kanë të bëjnë me shpërblimin dhe motivimin, si nucleus accumbens dhe korteksi orbitofrontal, si edhe me zona që përpunojnë emocionet, si amigdala dhe insula. Disa nga këto modele shihen edhe te depresioni dhe çrregullimi i stresit post-traumatik, gjendje që ndajnë tipare të përbashkëta me PGD-në, si ruminimi dhe shqetësimi emocional.
“Do të ishte e çuditshme të mos kishte mbivendosje,” thekson Bryant, i cili synon të zgjerojë kërkimet e tij me grupe më të mëdha personash të pikëlluar, për të ndjekur se si ndryshon aktiviteti i trurit me kalimin e kohës – ose pse, tek disa, zia mbetet e ngrirë.
Pse ka rëndësi njohja e PGD-së?
Sipas studiuesve, rritja e ndërgjegjësimit është thelbësore. “Për ta trajtuar zisë e zgjatur, duhet së pari ta njohim atë si një çrregullim,” thotë Bryant. “Trajtimet ekzistojnë, por nuk mund t’i ndihmojmë këta njerëz nëse nuk arrijmë t’i identifikojmë.”
Studimi thekson se disa humbje – veçanërisht ato të papritura dhe traumatike – kanë më shumë gjasa të lënë gjurmë afatgjata, jo vetëm emocionale, por edhe biologjike, duke shpjeguar pse për disa njerëz dhimbja nuk shuhet kurrë plotësisht. /GazetaExpress/