Bashkimi Evropian ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar të merret me çështjen e integrimit të strukturave paralele në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, duke u konsultuar me komunitetin serb në Kosovë dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Një zëdhënës i BE-së theksoi se statusi i institucioneve të mbështetura nga Serbia duhet të trajtohet në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe me legjislacionin në fuqi në Kosovë.
Sipas BE-së, Kurti ka konfirmuar angazhimin për ta adresuar këtë proces në bashkëpunim me serbët e Kosovës dhe me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun.
“Kryeministri i Kosovës është zotuar që ta adresojë integrimin e strukturave shëndetësore dhe të arsimit, të mbështetura nga Serbia, në konsultim me serbët e Kosovës dhe BE-në, në veçanti me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e BE për Koha Ditore.