Në vazhdim të fjalës së tij, Mishetiq foli për atë që e cilësoi si ndryshim e paraqitjes së ZPS-së sa i përket provave të vetë Prokurorisë.
“ZPS kuptoi pastaj boshllëqet që kishte në javën e fundit kur mbrojtja paraqiti provat. Tani ajo po ndryshon paraqitjen e provave për të mbushur blloqet”, tha ai.
Në këtë kontekst, ai tha se në dosjen përfundimtare të Prokurorisë, ku janë paraqitur provat përmenden dy takime të Shtabit të Përgjitshëm, ku pretendohej se ishte folur për “luftën speciale” të të akuzuarve kundër bashkëpunëtorëve.
Mishetiq tha se mbrojtja vërejti se ZPS e ndryshoi këtë, duke përmendur në fjalën e saj para Gjykatës takime të tjera, përfshirë të 23 korrikut, 19 nëntorit dhe 20 dhjetorit 1998, të cilat tha se nuk ishin pjesë e dosjes përfundimtare të prokurorisë.
Duke folur për këtë ndryshim të ZPS, ai tha se shefi i shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi kishte qenë pjesë e këtyre takimeve, por Prokuroria tha se ai nuk ishte person i besuar i të akuzuarve.
Mishetiq tha se ZPS pretendon se në këto takime u diskutua për “avancimin e qëllimit të përbashkët kriminal”, por ngriti pyetjen se ZPS nuk e konsideron Zyrapin si pjesë “të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
“ZPS nuk ka përgjigje. Dhe kjo është e pakuptimtë”, tha ai, duke shtuar se ZPS e kuptoi se e dëmtoi veten duke thënë se Zyrapi nuk ishte pjesë e NPK-së./REL/