Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka deklaruar se nuk do ta përkrahë një mandat tjetër të Vjosa Osmani për presidente, duke theksuar se qëndrimi i partisë është për një kandidat konsensual.
Behrami ka thënë se PDK-ja synon të ulet në tryezë me të gjitha partitë politike, veçanërisht me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për të gjetur një emër që, sipas tij, personifikon unitetin e popullit të Kosovës.
“Për Kosovën do të ishte tragjedi që të kishte sërish tendencë për imponim, për diktat dhe për të shtyrë emra të cilët nuk janë burim i konsensusit të madh politik”, u shpreh ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas Behramit, aktualisht nuk ka një kandidaturë zyrtare të shpallur nga LVV-ja për president, prandaj PDK-ja nuk ka marrë asnjë vendim konkret për ndonjë emër. Ai theksoi se edhe në rast të shpalljes së kandidaturave, procesi duhet të zhvillohet përmes dialogut politik ndërmjet partive.
Deputeti i PDK-së shtoi se presidenti i ardhshëm duhet të jetë produkt i një marrëveshjeje të gjerë politike.
“E votojmë një president që del vetëm nga konsensusi politik”, deklaroi Behrami.
I pyetur në rast se PDK-ja do ta përkrahte Osmanin, cili do të ishte qëndrimi i tij, Behrami këmbënguli se partia ende s’ka marrë vendim. U pyet edhe për kandidaturën e mundshme të Ramush Haradinajt.
“Diçka çka kam mësuar politik është se fillimisht duhet të jemi lojal ndaj partisë e më pas ndaj qytetarëve që na kanë votuar. Shumë deputetë mendojnë që ata duhen të jenë lojal vetëm ndaj votuesve, por partia ta krijon këtë kornizë për të të votuar qytetari”, deklaroi Behrami.