Një fshat i vogël në Suffolk, me vetëm 40 shtëpi, është njohur zyrtarisht si një Komunitet Ndërkombëtar i Qiellit të Errët për cilësinë e jashtëzakonshme të qiellit të natës.
Thorington Street është vendi i parë në Angli që merr këtë titull, duke iu bashkuar vetëm gjashtë komuniteteve të tjera në Mbretërinë e Bashkuar – tre në Skoci, dy në Uells dhe një në Ishujt e Kanalit.
Një fushatë e nisur nga nëntë banorë të fshatit, të cilët punuan pa pushim për nëntë vjet për të ruajtur pamjen e yjeve, ishte thelbësore për këtë njohje. Çmimi njihet për “përkushtim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e qiellit të natës” dhe përfshin masa për reduktimin e ndriçimit publik, ngritjen e vetëdijes mbi ndotjen e dritës dhe përfshirjen e komunitetit në vëzhgimin e yjeve.


Mike Barrett nga Dedham Vale National Landscape Dark Skies Campaign tha për Daily Mail: “Ky çmim është kulmi i fushatës sonë dhe na jep autoritetin për të vazhduar përpjekjet për të reduktuar ndotjen e dritës në zonat e mbrojtura. Pamjet e njerëzve që jetojnë në zonat me ndriçim të tepruar dhe shohin Rrugën e Qumështit me mijëra yje janë një kënaqësi e jashtëzakonshme për ne.”
Thorington Street ndodhet në juglindje të Suffolk, në qendër gjeografike të Dedham Vale, një zonë e mbrojtur prej 35 miljesh katrorë. Megjithëse fshati ka ndriçim minimal, marrja e statusit si Komunitet Qielli i Errët ishte një proces shumë i vështirë, me kritere shumë strikte dhe dy vjet angazhim aktiv me banorët për matjen e ndotjes së dritës dhe promovimin e masave të kufizimit të saj.
Pas pothuajse një dekade përpjekjesh, Thorington Street u njoh zyrtarisht me këtë status. Dan Oakley, Menaxher Politikash dhe Destinacioni në DarkSky, tha: “Përkushtimi i këtij komuniteti të vogël për të arritur statusin e qiellit të errët ishte i jashtëzakonshëm. Plani i tyre për menaxhimin e ndriçimit është frymëzim për komunitete të tjera.”

Në të ardhmen, komuniteti do të duhet të ruajë përkushtimin e vazhdueshëm dhe të plotësojë kriteret çdo vit për të mbajtur statusin. Së fundmi, projekti mori një shtysë të madhe nga National Trust, e cila ofroi një hambar të madh Tudor, një kopsht dhe fushën përreth si Qendër Zbulimi e Qiellit të Errët. Kjo qendër do të shërbejë si një vend për “astro-turizëm”, duke sjellë vizitorë nga zonat urbane për vëzhgimin e yjeve dhe mësime astronomike.
Barrett shprehet: “Më e mira është të tregojmë njerëzve që jetojnë në qytete thesaret e qiellit të natës. Do të doja që autoritetet dhe zhvilluesit të ishin më të vetëdijshëm për ndotjen e dritës dhe ndikimin e saj në mjedis.”
Studimet e fundit tregojnë se qielli i errët nuk është vetëm i dobishëm për vëzhguesit e yjeve, por edhe për ekosistemin e tërë: ndriçimi pas perëndimit të diellit ndikon në ciklet e gjumit të zogjve urbanë, sjelljet riprodhuese të pëllumbave dhe jetën e krijesave natën. Ndotja e dritës madje mund të kontribuojë në ngrohjen globale, pasi bimët që thithin më shumë dritë artificiale prodhojnë më shumë CO2. /GazetaExpress/