Tetë ditë pa gjumë, drejt psikozës - Gazeta Express
string(33) "tete-dite-pa-gjume-drejt-psikozes"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

17/02/2026 18:45

Tetë ditë pa gjumë, drejt psikozës

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

17/02/2026 18:45

Tommy Graves buzëqeshte gjerë dhe bënte salto perfekte, i bindur se po performonte për miliona shikues. Në realitet, audienca e vetme ishin infermierët që e vëzhgonin në repartin psikiatrik.

Sot 32 vjeç, Graves, nga Bermondsey, përfundoi në një njësi të shëndetit mendor pasi tetë ditë rresht pa gjumë e zhytën në një psikozë të rëndë. Ai besonte se jeta e tij po transmetohej drejtpërdrejt, njësoj si te filmi The Truman Show, ku personazhi i luajtur nga Jim Carrey jeton pa e ditur se çdo moment i tij po shfaqet në televizion.

“Familja më dërgoi me ambulancë sepse e kuptuan se diçka nuk shkonte,” tregon ai. “Flisja rrjedhshëm, por nuk kisha kuptim. Kisha plane për t’i dhënë fund racizmit, seksizmit, luftërave, madje edhe për të kuruar kancerin. Nuk e dija më ku isha – mendoja se ndodhesha në një studio televizive.”

Mungesa e gjumit nisi gjatë përgatitjes së një projekti bamirës për të mbledhur fonde për të pastrehët. Entuziazmi u kthye shpejt në stres, idetë u bënë gjithnjë e më ekstreme dhe truri “nuk fiksej” kurrë. “Në ditën e gjashtë pa gjumë, ideja kishte kaluar nga mbledhja e 100 paundëve në 66 milionë,” thotë ai. Pak më pas u shtrua në spital.

Graves kaloi katër javë në repartin e shëndetit mendor. I bindur se kamerat po e filmonin, ai këndonte, kërcente, bënte salto dhe përpiqej të argëtonte “publikun”, duke menduar se do të fitonte një Oskar. Vetëm pas mjekimit arriti të flinte. Mjekët e diagnostikuan me një episod maniak me psikozë, të shkaktuar nga stresi i fortë dhe privimi ekstrem i gjumit.

“U shkëputa plotësisht nga realiteti,” thotë ai. “Dëgjoja, shihja dhe besoja gjëra që nuk ishin reale. Vetëm pasi më vunë në gjumë me ilaçe, fillova të kthehem ngadalë në botën reale.”

Kur doli nga spitali një muaj më vonë, jeta e tij ishte e rrënuar dhe ai e kuptoi se pa gjumë të rregullt rrezikonte të humbiste sërish kontaktin me realitetin. “Mjeku më tha se nëse nuk mësoja të flija siç duhet, mund ta humbisja përsëri arsyen,” shpjegon ai.

Dy vitet pasuese i kaloi duke mësuar si të përmirësonte gjumin. Në prill 2025 u kualifikua si trajner gjumi. Sot ai respekton orare fikse fjetjeje dhe zgjimi, shmang netët e vona dhe organizon punëtori për biznese e komunitete, duke promovuar idenë se të kesh një orar gjumi të qëndrueshëm duhet të jetë “cool”.

Ai paralajmëron për atë që e quan “jet lag social” i fundjavave – kalimi nga netët e vona te zgjimet e hershme – që krijon një cikël lodhjeje kronike. “Rreth një në tre persona vuajnë nga pagjumësia. Orari i qëndrueshëm i gjumit dhe zgjimit është gjëja më e rëndësishme që mund të bëni,” thotë ai.

Ekspertët theksojnë se gjumi i dobët lidhet me shumë probleme shëndetësore, nga sëmundjet kardiovaskulare te çrregullimet e shëndetit mendor. Edhe pse zgjimet gjatë natës nuk do të thonë domosdoshmërisht pagjumësi, këshillat bazë përfshijnë orare të rregullta, aktivitet fizik gjatë ditës dhe një ambient të qetë për gjumë.

Historia e Graves është një kujtesë e fortë se mungesa e gjumit nuk është thjesht lodhje – mund të jetë një rrezik serioz për shëndetin mendor dhe jetën. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement