Në emisionin “Malbora Gurra -Përtej Kufijve”, publiku pati mundësinë të ndjekë një intervistë sa të thellë aq edhe emocionuese me psikologen Shkëndije Berisha Pacolli – një profesioniste që prej vitesh jep kontribut të çmuar për diasporën shqiptare në Gjermani.
Me një qasje të ngrohtë dhe autentike, Shkëndije Berisha Pacolli nuk foli vetëm për rrugëtimin e saj profesional, por na lejoi të shohim edhe dimensionin njerëzor të jetës së saj. Intervista solli reflektime të ndjera mbi familjen, sfidat e integrimit dhe forcën që kërkohet për të ndërtuar një të ardhme në një shtet të ri.
Një nga momentet më mbresëlënëse ishte rrëfimi i saj për bashkëjetesën e tre brezave nën një çati – një realitet që sjell jo vetëm harmoni dhe dashuri, por edhe dinamika dhe përgjegjësi të veçanta. Ajo ndau me publikun se si kjo eksperiencë e ka pasuruar emocionalisht dhe e ka ndihmuar të ruajë balancën mes jetës personale dhe angazhimeve profesionale.
Shkëndije Berisha Pacolli foli hapur edhe për fillimet e saj në Gjermani, periudha të mbushura me pasiguri, sakrifica dhe sfida kulturore. Ajo përshkroi me sinqeritet “të zitë” e atyre viteve: vështirësitë e adaptimit, ndjenjën e të qenit mes dy botëve dhe përpjekjet për të mos humbur identitetin. Pikërisht këto përvoja, sipas saj, u bënë themeli mbi të cilin ndërtoi karakterin, forcën dhe suksesin e sotëm.
Intervista nuk ishte thjesht një bisedë televizive, por një mesazh frymëzimi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Një dëshmi se rrugëtimi i emigrimit, sado i vështirë, mund të shndërrohet në histori suksesi kur shoqërohet me këmbëngulje, vizion dhe besim në vetvete.
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...