Presidentja Vjosa Osmani bëri thirrje për unitet pavarësisht dallimeve të së kaluarës dhe të tashmes në mbrojtje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo tha në ceremoninë e përvjetorit të 18-të të pavarësisë së Kosovës se dallimet politike “nuk guxojnë të jenë pengesë në unitetin tonë në mbrojtje të luftës çlirimtare”. Kështu, ajo tha se mbrohet “vetë ekzista e shtetit”.
Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, Osmani foli për “përpjekje për ta barazuar luftën tonë çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbisë”
“UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Ajo është zemra e rezistencës sonë kombëtare dhe përgjigjja e një populli të shtypur ndaj një regjimi gjenocidial. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, gjithnjë e pastër, dhe gjithnjë e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë, për ta relativizuar apo për ta barazuar viktimën me agresorin, është jo vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e pavërtetë dhe tërësisht e papranueshme. Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot gjenden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë dhe me mbështetjen e palëkundur të popullit të Kosovës u ngritën për liri, dinjitet dhe për të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Prandaj çdo përpjekje për ta barazuar luftën tonë çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbisë, jo vetëm që e minon Serbinë, por dëmton rëndë edhe themelet e paqes afatgjatë në rajonin tonë”, tha ajo.
Osmani tha se UÇK-ja është “shtylla më e fortë” e shtetit” dhe “nuk mund të zhbëhet nga asnjë përpjekje për për rishkrim apo deformim të historisë”.
Sot më shumë se kurrë e kemi për detyrë të qëndrojmë së bashku”, tha ajo.
Presidentja përmendi se “në themelin e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë së Republikës sonë”.