Shkruan: Ag Apolloni
Më 17 shkurt, Kosova i mbush 18 vjet. Ka të drejtë me vozitë makinën, me pi duhan e alkool, me udhëtu pa prind, me u martu, me nënshkru kontrata, e shumëçka tjetër që s’i lejohej nën këtë moshë. Mirëpo, në fakt, Kosova nuk është person dhe nuk është kaq e re. Etnia, shteti dhe pavarësia janë tri gjëra të ndryshme që mblidhen me një emër: Kosova.
Ky përvjetor pjekurie (juridikisht) e gjen shtetin me qeveri të re, së cilës tashmë nuk i lejohen infantilitetet që i kishte qeveria paraprake, e cila, e dehur nga marrja e pushtetit, s’ia kuptonte hallet shtetit. Kishte një fokus të madh në sovranitet dhe me atë fitonte jo vetëm zemrat e njerëzve të prekur nga lufta, e që janë shumicë, por edhe zemrat e diasporës, meqë shumica e familjeve kosovare që sot ndodhen kryesisht në Evropë dhe Amerikë kanë ikur nga vendi i tyre për shkak të represionit serb. Për ata, është e rëndësishme vetëm që Kosova të jetë e sigurt. Nëse këtë ua garanton, s’ke pse dyshon në votën e tyre. Dhe kështu do të jetë edhe për njëfarë kohe.
Mirëpo, qeveria e re e shtetit 18-vjeçar, nëse pranë fjalës sovranitet, nuk e vendos edhe fjalën prosperitet, s’do të duket serioze.
Ky shtet 18-vjeçar ka nevojë për njohje (shoqe) të reja. Disa prej tyre (anëtare të Bashkimit Evropian) ende s’pranojnë me dalë me të, sepse e konsiderojnë të papjekur. Janë dy njohje që i duhen fort (jo pse janë superfuqi, por sepse me asnjë shtet tjetër nuk lidhemi më fort se me to në histori): Greqia dhe Rumania. Greqia kurrë s’ka pasur ndonjë konflikt me Kosovën, por ka pasur miqësi mijëravjeçare me shqiptarët (që janë shumicë në Kosovë), miqësi historike dhe kulturore. Madje patrioti i madh dhe folkloristi i shquar shqiptar, Thimi Mitko, në parathënien e “Bletës shqypëtare”, duke e ndjerë afërsinë kulturore me grekët, thoshte ‘Mëma Greqi’. Me sa di unë, deri sot nuk kemi bërë ndonjë përpjekje për ta ushqyer këtë miqësi, përveç se kemi shkuar dhe u kemi kërkuar njohjen, thuajse na e kanë borxh. ‘Mëma Greqi’ s’na njeh, jo për shkak të miqësisë më Serbinë, sepse miqësinë me ne e ka më të vjetër, por për shkak të ‘Mëmës Shqipëri’, me të cilën ka pasur ‘mosmarrëveshje’ politike, pa e marrë në konsideratë edhe atë deklaratën e pamatur të kryeministrit aktual shqiptar për identitetin grek.
Njëjtë është puna edhe me Rumaninë, e cila na ka ndihmuar përgjatë historisë për ta shpallur pavarësinë dhe për ta dokumentuar vjetërsinë e gjuhës (ishte rumuni Nikolla Jorga ai që e zbuloi dokumentin më të vjetër në gjuhën shqipe, Formulën e Pagëzimit). Mirëpo, raportin me Rumaninë ne e kemi nga këndi i futbollit. Prandaj, duke e parë këtë ‘logjikë të këmbës’, nuk shoh njohje në horizont.
Gjithashtu, njohja nga Spanja duhet të kthehet në synim. Por, s’kemi luksin t’i injorojmë as Sllovakinë dhe Qipron.
Çka duhet bërë për t’i siguruar këto njohje? Duhen bërë vizita, shkëmbime, projekte të përbashkëta, normalizim raportesh, dhe të zhvillohet një diplomaci, mbi të gjitha, kulturore. Disa prej këtyre shteteve kemi nevojë t’i bindim që s’jemi barbarë, s’jemi vasalë, s’jemi radikalë (edhe pse faktikisht, dhe fatkeqësisht, jemi, jo vetëm në Kosovë, por edhe në diasporë), shkurt e shqip, s’jemi qysh kanë frikë (e shpesh edhe të drejtë) se jemi.
Sigurisht, njohjet nuk vijnë vetëm nga diplomacia, por njohjet nga Greqia dhe Rumania s’mund të sigurohen kurrë pa ndihmën e diplomacisë, sidomos të asaj kulturore, që i bind ato shtete për gatishmërinë dhe dëshirën për ringjallje të miqësisë tre mijëvjeçare me njërën, e qindra vjeçare me tjetrën. Ndoshta njohjet s’mund të sigurohen në asnjë mënyrë, por nëse ka një mënyrë, është kjo që e thashë.
Si bëhet kjo? Duke formuar njëfarë ‘senati’, në sensin romak, me njerëz që i dinë këto punë. Një senat në shërbim të shtetit, që ndihmohet e nuk abuzohet prej pushtetit. ‘Senati’ (unë po e quaj kështu për shkak të modelit që po marr në konsideratë, por ai mund të quhet ndryshe) do ta mbronte (intelektualisht) shtetin. Nëse shteti ka mbetur të mbrohet vetëm nga ushtria, atëherë po i bëjmë gati ‘strajcat’ e po ikim kah të mundemi. Po s’e mbrojte vendin me mend, me dije e dëshmi, kot investon në ushtri.
Kjo do të thotë se fjalori i ‘shoferit’ të shtetit duhet të ndryshojë. “Fjalët e vitit të kaluar i përkasin gjuhës së vitit të kaluar, dhe fjalët e vitit të ri presin një zë tjetër”, thotë T. S. Eliot. Prandaj, fitues të dashur, nëse vazhdoni me të njëjtin avaz, ndoshta edhe mund të shkoni në 99 përqind, dhe t’ia shihni hajrin shtetit edhe më shumë, por qëllimi ka qenë që shteti t’jua shohë hajrin juve.
Prandaj, për fund, po e mbyll me një thënie të një shkrimtari që politikanët e kanë sulmuar shumë, e që është aktual edhe sot, Miguel de Unamuno: ‘Ju mund të fitoni, por nuk na bindni’. Duhet të na e mbushni syrin dhe mendjen që jeni të pjekur dhe që dini ta ‘vozitni’ shtetin. Ju uroj fat, sepse s’dua të jeni fatkeqësia jonë. Të tillë kishim mjaft.