Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se sot është ditë gëzimi por ka shtuar se është gjithashtu emocionuese për shkak të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Ai në një lidhje direkte në KTV ka thënë se shokët e tyre janë prapa grilave. Ka deklaruar se nuk po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasnqi e Rexhep Selimi, por po gjykohet Ushtria Çlirimtare të Kosovës.
Ka kërkuar që institucionet e shtetit të ngrehin zërin më shumë kundër kësaj gjykate.
Nga protesta ka thënë se imazhi ndërkombëtar i Kosovës dhe kërkesa për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së do të forcohet.
“Sot nuk po ndihem mirë për shkak se i kemi shokët tonë prapa grilave. Ata luftuan shumë, udhëhoqën Rambujenë, shpallen Pavarësinë dhe sot gjenden prapa grilave. Është duke u bërë një proces për pesë vjet, proces që nuk ka ndodhur në historinë botërore që të zgjasë kaq shumë. E di që kjo datë është e shenjtë për gjithë shqiptarët, por pikërisht sot do të protestojmë, ta ngrehim zërin kundër padrejtësive. Protagonistët kryesorë që ishin në luftë dhe në shtetin e lirë, sot nuk janë me neve”, ka thënë ai.
Gucati ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në protestën paqësore në Prishtinë.
Ai ka thënë se të gjithë duhet të ngrehin zërin, duke shtuar se kërkesa e Prokurorisë për 180 vjet burgim për të katër figurat e UÇK-së është e papranueshme.
“Aty vetëm serbisht nuk flitet. Kjo gjykatë i ka kënaqë vetëm epshet e Serbisë dhe të disa shqiptarëve shqipfolës që mendojnë që Serbia do të kthehet në Kosovë. Serbia është larguar nga Kosova dhe nuk do të ketë këmbë të ushtrisë serbe por vetëm të ushtrisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Gucati ka thënë se Serbia është e vetmja që ka kryer krime në Kosovë.
Ai ka deklaruar se nga Gjykata Speciale kërkojnë drejtësi dhe barazi.
Sipas tij, kjo gjykatë i ka amnistuar serbët, kurse shqiptarët po mundohet t’i dënojë.
Duke folur për organizimin e protestës, ai ka thënë se kanë dalë të gjitha oraret për autobusët që do të vijnë në Prishtinë për të protestuar nga të gjitha qytetet e Kosovës. Ka shtuar se edhe studentët nga Tirana do të vijnë në mënyrë të organizuar.