Autori i monumentit NEWBORN, Fisnik Ismaili, ka njoftuar se ka përfunduar ngjyrosja e obeliskut për këtë vit, duke zbuluar edhe simbolikën që përcjell instalacioni në edicionin e radhës.
Përmes një postimi, Ismaili ka bërë të ditur se tema e sivjetme përfaqësohet nga fjalët: “Nationhood / Shtetësi, Endurance / Qëndresë, Work / Punë, Bravery / Trimëri, Obligation / Obligim, Resilience / Rimëkëmbje, New Beginnings / Fillime të reja”.

Sipas tij, koncepti i këtij viti i kushtohet Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt lirisë e shtetndërtimit përmes luftës çlirimtare, si dhe vlerave të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i cilësoi si aleatin kyç në mbështetjen e kësaj lirie.
“Kushtuar Kosovës, rrugëtimit të saj drejt lirisë dhe shtetndërtimit përmes luftës çlirimtare dhe vlerave të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati kyç në mbështetjen e kësaj lirie”, ka shkruar Ismaili.
Në fund të mesazhit, ai ka theksuar edhe simbolikën numerike “KOSOVA 18” dhe “USA 250”, që lidhet me përvjetorët përkatës.
Monumenti NEWBORN, i vendosur përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, është një skulpturë tipografike dhe një pikë referimi simbolike që përkujton Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, e cila për pesë vjet qëndroi me pamjen e njëjtë dhe më pas është ringjyrosur çdo vit për t’iu përshtatur temave të ndryshme që nxjerrin në pah situata dhe aspirata të shoqërisë kosovare.
Çdo paraqitje e re e monumentit NEWBORN ka një mesazh artistik dhe social, duke shërbyer si platformë reflektimi për qytetarët dhe vizitorët.
Monumenti ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare që nga shpallja e tij si pjesë e përvjetorit të pavarësisë dhe vazhdon të jetë një nga atraksionet më të vizituara dhe më të diskutueshme kulturore të kryeqytetit kosovar.
NEWBORN-i ka fituar gjithsej shtatë çmime ndërkombëtare, ndër to çmimin më të lartë në botë në fushën e dizajnit, atë të “Luanit të Artë” në Kanë.