Mesazhe mbështetjeje për Kosovën nga ndërkombëtaret në 18-vjetorin e Pavarësisë - Gazeta Express
string(79) "mesazhe-mbeshtetjeje-per-kosoven-nga-nderkombetaret-ne-18-vjetorin-e-pavaresise"

Lajme

Gazeta Express

17/02/2026 7:03

Mesazhe mbështetjeje për Kosovën nga ndërkombëtaret në 18-vjetorin e Pavarësisë

Lajme

Gazeta Express

17/02/2026 7:03

18-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka sjellë urime nga ndërkombëtarët qysh një ditë para 17 shkurtit

Mëngjesin e së hënës, urimi i parë erdhi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili i dërgoi letër homologes së tij nga Kosova, Vjosa Osmanit.

“Presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kosovën e uroi edhe e ngarkuara me punë në Kosovë nga SHBA-ja, e cila tha se ndërsa Kosova shënon 18-vjetorin, Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e tyre.

“Këtë vit, ndërsa Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë dhe Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e tyre, ne qëndrojmë së bashku teksa Kosova vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë”, tha ajo përmes një mesazhi të publikuar në Instagram.

Sipas saj, partneriteti i SHBA-së me Kosovën filloi edhe para pavarësisë, në vitin 1996, kur Shtetet e Bashkuara hapën zyrën e tyre të parë në Prishtinë.

“Që atëherë, ne kemi qëndruar pranë Kosovës, duke mbështetur rrugëtimin e saj demokratik, i cili hedh themelet për të ardhmen. Ne presim me padurim zgjerimin e bashkëpunimit tonë në tregti, investime dhe forcimin e lidhjeve të sigurisë, në dobi të të dy vendeve tona. Ne mirëpresim përkushtimin e Kosovës ndaj paqes ndërkombëtare dhe vazhdojmë të inkurajojmë një të ardhme shumetnike dhe demokratike për të gjithë qytetarët e saj”, tha ajo.

Urim për Kosovën dërgoi edhe Mbreti Charles III, ku në letrën e dërguar tha se kjo ditë shërben si një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme midis vendeve tona.

“Jam thellësisht i inkurajuar nga fuqia e lidhjeve tona dypalëshe dhe mbetem i përkushtuar për të nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë. Ndërsa përballemi me sfidat e përbashkëta të kohës sonë, veçanërisht ato që lidhen me klimën dhe ruajtjen e botës sonë natyrore, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhje domethënëse dhe të qëndrueshme”, thuhet në letrën e Mbretit Charles III.

Ambasada e Francës në Kosovë uroi shkurt Kosovën për Ditën e Pavarësisë, duke publikuar një foto ku shihet flamuri i Kosovës dhe i Francës.

Një ditë para festës së Pavarësisë, Kosovën e uroi edhe Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, i cili i ka dërguar një mesazh urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenti italian vlerëson bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Romës dhe Prishtinës, duke nënvizuar angazhimin e përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Ai thekson se ky bashkëpunim përbën bazë të fortë për thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme.

Në mesazhin e tij, Mattarella riafirmon mbështetjen e palëkundur të Italisë për rrugëtimin evropian të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Sipas tij, arritja e këtij objektivi mbetet thelbësore, ndërsa Italia do të vazhdojë të kontribuojë në këtë drejtim.

Ndërkaq, nesër në kuadër të Pavarësisë së Kosovës, në orën 7:20 do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë, ndërsa në orën 10:30 do të mblidhet edhe Kuvendi i Kosovës në një seancë solemne.

Të martën do të mbahet edhe protesta, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement