Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të hënën u dha fjala përfundimtare në gjykimin ndaj Endrit Nikës, i cili po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë më 2023. Vendimi do të jepet të enjten.
Fillimisht, fjalën përfundimtare e ka elaboruar prokurori i rastit, Armend Hamiti, ku ndër të tjera theksoi se nga analiza e provave është krijuar një zinxhirë i pandërprerë i provave që vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit, “Betimi për Drejtësi”.
“Nga analiza e këtyre provave është krijuar zinxhirë i pandërprerë i provave që vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit”, tha Hamiti.
Prokurori Hamiti theksoi se nga dëgjimi i të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, si dhe administrimit të provave të paraqituara në aktakuzë dhe atyre të marra ndërkohë në këtë shqyrtim gjyqësor, aktakuza ndaj të akuzuarit Nika është provuar.
Tutje, prokurori shtoi se lidhja shkakore në mes veprimeve dhe pasojës janë vërtetuar, ndërsa nga video-incizimet vërtetohet sjellja agresive e të akuzuarit, që përmbushin elementet e dashjes.
Në fund, prokurori Hamiti kërkoi që i akuzuari Nika të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohet dënim sipas ligjit, duke theksuar se drejtësia për M.C., nuk është hakmarrje por përgjegjësi ligjore.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Betim Shala deklaroi se e mbështet fjalën e prokurorit Hamiti. Edhe nëna e të ndjerës, Maria Clara del Monte deklaroi se e mbështet avokatin.
Ajo më tutje shtoi se i akuzuari Nika ka krahasuar dhimbjen e saj me të tijën, duke thënë se nuk mund të krahasohet dashuria e një nëne për vajzën e saj me një dashuri gjashtë mujore.
“Kur i akuzuari Endrit Nika krahasoi dhimbejn e tij, me dhimbjen time, shpreh neverinë time të thellë në lidhje me krahasimet. Nuk mund ta krahasoj një dashuri gjashtë mujore me një dashuri të një nëne”, tha del Monte.
Fjalën përfundimtare për trupin gjykues e dorëzoi me shkrim edhe mbrojtësi i të akuzuari Nika, avokati Drilon Imeri, i cili deklaroi se në shqyrtimin gjyqësor është vërtetuar e kundërta e asaj që thotë aktakuza, duke theksuar se përshkrimi i aktakuzës bie ndesh me prova.
“Për herë të parë kam rastis që për secilin pretendim në dispozitivin e aktakuzës, në shqyrtim gjyqësor të vërtetohet e kundërta”, tha avokati Imeri.
Imeri i propozoi Gjykatës që për të mbrojturin e tij të shpallë aktgjykim lirues pasi që sipas tij nuk është provuar se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Edhe i akuzuari Nika, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim për trupin gjykues.
Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.
Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.