Dita e gjashtë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së në Gjykatën Speciale përfundoi të hënën me kërkesën e Prokurorisë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen fajtorë.
Prokurori Metthew Holing në fjalën përmbyllëse tha se dokumentacioni gjyqësor i kësaj çështjeje tregon historinë se të akuzuar, duke e bërë atë që kishin thënë se do ta bënin, e kanë shtyrë Prokurorinë të kërkojë që ata të shpallen fajtorë “dhe janë fajtorë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.
“I gjithë dokumentacioni gjyqësor i çështjes tregon se të akuzuarit, përmes abuzimit të pozitës dhe strukturave që kanë drejtuar, kanë vepruar me qëllim të përbashkët kriminal”, tha ai.
Sipas tij, ata “kanë ruajtur dhe avancuar fokusin e viteve të mëhershme të UÇK-së se kundërshtarët po u kushtonin shumë atyre, në kuptimin që nuk po i lejonin kontroll në Kosovë. Ata kanë nxjerrë deklarata që kanë dënuar e kërcënuar dhe që janë zotuar për t’i ndëshkuar kundërshtarët dhe në fund këta kundërshtarë u ndëshkuan, natyrisht”.
Anëtarë të tjerë të prokurorisë u përpoqën t’i hedhin poshtë argumentet e mbrojtjes lidhur më të akuzuarit duke sjellë kundërargumente.
Për pjesën më të madhe të seancës, mbrojtja e Jakup Krasniqit argumentoi se Prokuroria në mënyrë të gabuar bëri përpjekje ta lidhte praninë e Krasniqit në disa vende krimesh të pretenduara, me kryerjen e krimeve, pa dhënë ndonjë dëshmi apo provë të vetme nëse prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve.
Mbrojtja e Krasniqit shtoi se pretendimi i Prokurorisë se ai dhe anëtarë tjerë të UÇK-së ndanin qëllimin e përbashkët për të marrë dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën, përmes kryerjes së krimeve, nuk qëndron kur të analizohen të gjitha provat.
Ndërkohë, avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq argumentoi se Prokuroria nuk ka mundur ta vërtetojë se deklarata e UÇK-së i ka nxitur njerëzit apo individët të kryejnë krime në Kosovë.
Mishetiq tha: “Po themi që duhet të vërtetojnë diçka, që deklaratat janë përkthyer në efekt, kanë pasur ndikim, të paktën për ndonjë nga krimet e përmendura në aktakuzë. Përndryshe po flasim teorikisht”.
Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën në mëngjes.
Faleminderit që na ndoqët!
Prokurori Holding: Shtabi i Përgjithshëm përcolli qëllimin e përbashkët kriminal
Prokurori Metthew Holing tha se i hedh poshtë argumentet e mbrojtjes së Hashim Thaçit se Prokuroria nuk ka prova të ndonjë urdhri apo komunikimi të drejtpërdrejtë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së që ta përcillte qëllimin e përbashkët kriminal të pretenduar.
Ai shtoi se provat përmbajnë një diskutim lidhur me “ekzekutimin masiv të të ndaluarve”.
“Vrasësit që i gjuajtën thanë, citoj: ‘Kemi urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm t’i largojmë të burgosurit’. Pas kësaj, ata i çuan në vendin e ekzekutimit”, tha Holing.
“Ky është Shtabi i Përgjithshëm ku ishin pjesë të gjithë të akuzuarit asokohe. Ky ishte urdhër i drejtpërdrejtë nga Shtabi i Përgjithshëm që përcillte qëllimin kriminal për të cilin akuzohen. Kjo provë nuk mund të eliminohet”, shtoi ai.
Holing tha se kritika e mbrojtjes së Prokuroria po mbështetet në prova vetëm inkriminuese dhe jo shfajësuese, nuk qëndron.
“Në dosjen tonë gjeni shpjegime të hollësishme pse dëshmitarët janë të besueshëm. Provat shfajësuese nuk u rrëzuan asnjëherë pse ishin të tilla, prandaj disa pretendime që ishin bërë më herët, u modifikuan ose nuk i kemi marrë më për bazë”.
Prokurori Pache: Mbrojtja e Thaçit dështoi ta arsyetojë ndalimin e dy gazetarëve serbë dhe delegacionit parlamentar
Prokurori James Pache argumentoi se mbrojtja e Thaçit ka bërë përpjekje “të dështuara” për ta legjitimuar ndalimin e dy gazetarëve serbë dhe një delegacioni të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1998.
“Parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit për ta bërë të ligjshme paraburgosjen e delegacionit parlamentar [të Lidhjes Demokratike] në Qirez më 1998, janë të dështuara po ashtu”, tha Pache.
“Gjatë argumenteve mbrojtja e Thaçit pretendoi se UÇK-ja ka pasur arsye ushtarake për të ndaluar dhe pyetur anëtarët e delegacionit në Qirez. Një dëshmitar kishte thënë se dikush kishte ardhur në Qirez për të kërkuar çarmatosjen e UÇK-së”.

Pacho shtoi se, edhe sikur të kishte kërkesa për çarmatosje, kjo nuk mund ta arrinte pragun e domosdoshëm për paraburgosje.
“Propozimi se grupet e armatosura mund ta ndalojnë çdo civil i cili kërkon opozitë paqësore dhe jo rezistencë të armatosur, është i rrezikshëm dhe kundërligjor dhe deklarata e një anëtari të delegacionit nuk mund ta arsyetojë arrestimin e tërë anëtarëve. Edhe po të kishte arsye legjitime për ndalim fillestar, juridikisht nuk ka pasur arsyetim për keqtrajtimin e të paraburgosurve”, shtoi ai.
Ai tha se anëtarët e delegacionit kanë dhënë dëshmi se janë rrahur dhe keqtrajtuar gjatë ndalimit nga UÇK-ja në Qirez.
Prokurori Tieger: Mbrojtja u përpoq ta shmangte rolin e vërtetë të të akuzuarve
Prokurori Alan Tieger ka nisur parashtrimet e Prokurorisë, duke thënë se mbrojtja e të akuzuarve ka bërë përpjekje t’i paraqesë ata si njerëz me qëllime të mira dhe pa pushtet e motive.
Më poshtë mund të lexoni pjesë nga argumentet e Tiegerit:
Në një formë apo tjetër, mbrojtja i ka paraqitur klientët e tyre si njerëz me qëllime të mira të cilët nuk kishin pushtet dhe motive.
Mbrojtja e Veselit e përshkroi klientin e vet si anëtar të përkushtuar të UÇK-së në një kohë shumë të nevojshme, si një i diplomuar i ri pa ndonjë përgatitje ushtarake, i cili iu bashkuar mijëra të tjerëve nga prejardhje të ndryshme me bindjen për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe për të ardhmen pa brutalitet dhe autoritarizëm për ta dhe fëmijët e tyre. Kjo, i nderuar gjykatës, në vetvete nuk është krim.
Natyrisht se nuk është krim t’i bashkohesh një lufte për liri dhe Prokuroria kurrë nuk e ka thënë kurrë këtë.

Por, t’i paraqesësh të akuzuarit si disa prej mijëra të tjerëve që iu bashkuan UÇK-së për të luftuar për liri, është përpjekje për t’iu shmangur roleve të tyre të vërteta, si themelues dhe anëtarë kyç të Shtabit të Përgjithshëm.
Ata nuk i pranojnë këto role, sepse veprimet e tyre në këto role, duke përdorur autoritetin e tyre të kombinuar dhe përpjekjet e tyre individuale, pasqyrojnë qëllimin e përbashkët kriminal dhe angazhimin e tyre ndaj tij.
Ata pretendonin se kishin të drejtë t’i trajtonin në mënyrë të pamëshirshme të gjithë ata që e pengonin arritjen e qëllimit të tyre. Krimet që pasuan si rezultat i tyre pasqyrohen në prova të shumta, të cilat nuk mund të shpërfillen apo mohohen. Kjo dëshmohet nga fati se ata bënë shumë përpjekje që këto prova të shikohen në mënyrë sa më të izoluar. Provat përfshijnë vite të asaj që ata kishin deklaruar se kishin bërë, po bënin dhe do të bënin.
Duke pranuar se sa inkriminuese ishin deklaratat UÇK-së, ekipet e mbrojtjes bënë shumë përpjekje për t’i distancuar klientët e tyre nga përfshirja në këto deklarata./Radio Evropa e Lirë