Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një promovim libri në Prishtinë se e kishte vështirë të përgatiste një fjalë nga fillimi deri në fund për këtë, pasi mori ftesën nga autori Ahmet Shala.
Rama e quajti “Prokurori idiotësh” Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë që kërkoi nga 45 vjet burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Duke folur për Gjykatën Specilae, ai tha se “çështja është që prokuorët nuk janë thjesht idiotë, ata janë instrumenta të një gjykate që është edhe më politike, fatkeqsisht, sesa gjykatat e Serbisë”.
Katër ish-krerët e UÇK-së, Rama tha se po duan t’i “varrosin të gjallë”, duke i dënuar përjetë.
Rama tha se Kosova dhe Shqipëria duhet që bashkërisht të bëjnë diçka më shumë në këtë situatë, që tha se është “shumë shumë shumë e rëndë”.
“Drejtësia ndërkombëtare, e financuar nga shtetet demokratike, që për turpin e tyre vazhdojnë ta ndjekin me indiferencën më të madhe këtë katastrofë për Europën dhe për botën demokratike, përveçse për katër njerëz krejtësisht të pafajshëm, faktikisht bën që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë, se çfarë mund dhe duhet të bëjmë. Nuk e kam përgjigjen për këtë, por jam i sigurt se duhet të bëjmë ende më shumë për këtë, sepse është një katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare, për vetë Europën, për Perëndimin demokratik, të cilin Kosova e testoi dhe fatmirësisht Perëndimi, duke e njohur Kosovën tejkaloi testin e humanizmit të vet. Por nëse sot Perëndimi nuk e kalon këtë tekst dhe merr përsipër varrosjen për së gjalli të katër njerëzve të pafajshëm, duke faktikisht lënduar si s’ka më keq popullin dhe Republikën e Kosovës, atëherë ky mbetet problem shumë i madh”, tha ai.
Rama e cilësoi burgosjen e ish-krerëve të UÇK-së “pengmarrje për arsye politike” që tha se janë “jo të Perëndimit si i tërë, por të atyre forcave që kanë dashur të barazojnë dy forca që nuk barazohen dot”.
Tha se ftesa për të marrë pjesë në ceremoninë e promovimit të librit “Kur heshtja flet” të Ahmet Shalës, i shkoi përpara kërkesës së Prokurorisë për dënim të gjatë me burgim për ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Rama tha se “përballë një situate të tillë fjalët nuk janë aspak të lehta për t’u gjetur”.
“Sot, të dënuar nga ajo gjykatë, ose më saktë nga drejtësia ndërkombëtare janë, Radovan Karaxhiqi, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për një epokë të tërë terrori dhe spastrimi, Ratko Mlladiqi, i cili u dënua po ashtu me burgim të pëjetshëm si fytyra e makinerisë së shfarosjes dhe autori i damkosur botërisht i masakrës së 8 mijë njerëzve të pafajshëm në Srebrenicë, njëfarë Stanislav Galiq i cili u dënua po ashtu me burgim të përjetshëm për terrorin e snajperëve që shënjestëruan fëmijë dhe gra si të ishte një safari njerëzor, njëfarë Milan Lukiq, i dënuar në përjetësi për krime që lënë pa fjalë dhe fjalorin e më të keqes, dikush që lidhte njerëz të gjallë dhe i hidhte në lum duke kundruar me kënaqësi se si përpëliteshin dhe mbyteshin, dhe tre autorë të tjerë përdhunimesh, vrasjesh, krimesh nga më makabret”, tha ai.
Rama tha se “Prokuroria nuk pati kapacitetin të provojë asgjë të ngjashme, sepse nuk ka asgjë të ngjashme në aktivitetin e katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre dhe i UÇK-së me terrorin mbi popullsinë civile, me spastrimin etnik, me varret masive të njerëzve të pafajshëm, me shënjestërimin e fëmijëve dhe grave nga snajperët e vendosur me këtë qëllim, apo me përdhunime, me vrasje, me mbytje të njerëzve në lum, asgjë”, tha ai.
“Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por u armatosën kundër një politike shfarosëse. Ata nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre mbi një territor të huaj, por u armatosën për të hequr qafe sundimin e të huajve në tokën e tyre. Dhe faktikisht ata vetë me dorën e tyre e votuan në Parlamentin e Kosovës një gjykatë e cila në letër është një gjykatë e Kosovës, nuk është një gjykatë për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën. Dhe faktikisht, sot jemi në kushtet kur ka marrë formë thuajse përfundimtare, pasi fjalën e fundit e ka sigurisht Gjykata, një plan shumë afatgjatë, jetësimi i të cilit ka nisur me raportin famëkeq të Dick Martyt, që mos gjettë kurrë prehje aty ku është, për trafikim të organeve nga udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe ai plan është shtyrë përpara nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në Këshillin e Europës. Dhe më tutje është ngritur mbi një rezolutë të Këshillit të Europës, të cilën, sot e gjithë ditën, për turpin e vet, Këshilli i Europës refuzon ta rishikojë, pasi asnjë lloj trafiku organesh nuk është provuar në asnjë formë”, tha Rama.