Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ka deklaruar ditët e fundit se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës përbën një kërcënim serioz për Serbinë. Ai ka paralajmëruar se çdo sulm i mundshëm do të parandalohet përmes forcimit shtesë të armatimit të vendit.
Duke iu përgjigjur pyetjes se pse vendet perëndimore po heshtin për këtë çështje, Vuçiq tha se “dikush ka dhënë dritën e gjelbër” për formimin e këtij bashkëpunimi, por nuk pranoi të përmendë se për cilën fuqi të madhe bëhet fjalë, me arsyetimin se po “ruan interesat e Serbisë” ,raporton Danas.
Konsulenti për gjeopolitikë dhe siguri, Nikola Luniq, e ka cilësuar të papërgjegjshme rritjen e tensioneve mbi bazën e një dokumenti që, sipas tij, nuk krijon detyrime të reja ndërkombëtare.
Sipas Luniqit, deklarata për bashkëpunim ushtarak ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës thekson qartë se nuk krijon obligime të reja juridike dhe nuk cenon marrëdhëniet ekzistuese me shtete të tjera. Ai vlerëson se rreziku real për rajonin është krijimi i një vakuumi gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor, i cili mund të shfrytëzohet nga fuqitë e mëdha.
Luniq thekson se Serbia, përmes një politike të paqartë ndaj integrimit evropian dhe refuzimit për t’u harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, po kontribuon në pasigurinë rajonale.
Sipas tij, në rajon është i dukshëm ndikimi i Turqisë, e cila ndjek një politikë të jashtme të frymëzuar nga konceptet e Ahmet Davutoglut mbi “thellësinë strategjike”, duke projektuar si fuqi të butë ashtu edhe bashkëpunim të ngushtë ushtarak me vendet partnere.
Luniq paralajmëron se zgjerimi i kësaj nisme edhe me Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut do të mund të shihej nga Serbia si kërcënim, çka potencialisht do ta shtynte Beogradin drejt aleancave alternative rajonale.
Ai thekson se për të shmangur skenarë të tillë, Serbia duhet të braktisë, sipas tij, “iluzionet e politikës së jashtme” dhe të përshpejtojë integrimin në Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, Predrag Petroviq, drejtor kërkimesh në Qendrën e Beogradit për Politikë të Sigurisë, vlerëson se Vuçiq nuk ka synuar një shtet të caktuar, por ka drejtuar gishtin drejt “Perëndimit” në përgjithësi.
Sipas tij, kjo qasje i lejon presidentit serb të shmangë përplasjet direkte me ndonjë fuqi të madhe, ndërsa njëkohësisht forcon narrativën për “rrezikun nga Perëndimi” tek elektorati i brendshëm.
Petroviq paralajmëron se një retorikë e tillë mund të ketë pasoja afatmesme dhe afatgjata, duke nxitur mosbesim ndaj Bashkimit Evropian dhe vlerave demokratike.
Edhe Dragan Shormaz, themelues i Këshillit Euroatlantik të Serbisë, e konsideron retorikën si të drejtuar kryesisht për publikun e brendshëm. Ai thekson se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë formuar aleancë ushtarake, por kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, të ngjashme me marrëveshje që edhe Serbia i ka me shtete të tjera.
Sipas tij, nëse shtetet e rajonit ndihen të kërcënuara nga politikat e Beogradit, është e kuptueshme që ato të forcojnë bashkëpunimin mes tyre.
Shormaz shton se Serbia mbetet e izoluar për shkak të politikës së neutralitetit ushtarak dhe largimit gradual nga Bashkimi Evropian, duke paralajmëruar se kjo mund ta dobësojë pozitën e saj ndërkombëtare në të ardhmen.