Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar për mosvazhdimin e kontratës nga ana e RTK-së për gazetaren Edina Avdiu, duke thënë se “një transmetues publik që vazhdimisht ndëshkon profesionalizmin, pastron zërat kritikë, dhe në anën tjetër shpërblen servilizmin, pushon së qeni medium publik”.
Në reagimin e tij, Cakolli thotë; “Me këtë ritëm, pyetja reale nuk është kush po largohet nga RTK. Dilema është kush do të mbetet për t’i lexuar lajmet në fund. Mbase do të mbeten t’i lexojnë vetë ata që shkruajnë tekstet e propagandës”.
Reagimi i tij i plotë:
Ky nuk është më thjesht veç një rast i paligjshmërisë, servilitetit, e censurës në transmetuesin publik – se me të tilla veçse jemi mësuar. Kjo është tashmë edhe çnjerëzore.
Largimi i një gazetareje shtatzënë, pa asnjë arsyetim profesional dhe pas gjithë atyre presioneve që ajo i ka dokumentuar vetë, nuk është incident. Është paralajmërim për çdo gazetar se mbajtja e mikrofonit “drejt” dhe respektimi i etikës gazetareske ka kosto, deri edhe me vend pune.
Edina Avdiu dhe gazetarë si ajo do ta gjejnë rrugën e tyre. Gazetarët e mirë gjithmonë e gjejnë. Problemi nuk është fare fati i tyre. Problemi është se me këtë akt po vuloset fati i RTK-së.
Një transmetues publik që vazhdimisht ndëshkon profesionalizmin, pastron zërat kritikë, dhe në anën tjetër shpërblen servilizmin, pushon së qeni medium publik.
Me këtë ritëm, pyetja reale nuk është kush po largohet nga RTK. Dilema është kush do të mbetet për t’i lexuar lajmet në fund. Mbase do të mbeten t’i lexojnë vetë ata që shkruajnë tekstet e propagandës.