Ferizaj ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratës së publikuar nga Prishtina e Re lidhur me pretendimet për fyerje me bazë racore gjatë ndeshjes së sotme.
Në reagimin e tyre, ferizajasit i hedhin poshtë kategorikisht akuzat, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara. Klubi thekson se kapiteni Betim Haxhimusa është sportist me integritet të lartë dhe se pretendimet nuk përfaqësojnë karakterin e tij.
Ferizaj thekson se është klub i ndërtuar mbi respektin dhe barazinë, duke nënvizuar se në skuadër ka lojtarë nga prejardhje të ndryshme, përfshirë edhe lojtarë me ngjyrë, të cilët i konsideron pjesë të pandashme të familjes sportive.
Sipas klubit, kjo dëshmon qartë frymën dhe vlerat që përfaqëson.
Në deklaratë, komunikata e Prishtinws sw Re cilësohet si e nxituar dhe pa bazë faktike.
Ferizaj shton se gjatë momentit të pretenduar pranë situatës ndodhej edhe gjyqtari Genc Nuza, gjë që sipas tyre e bën akuzën edhe më të pabazuar.
KOMUNIKATA E PLOTË:
“FC Ferizaj reagon ndaj deklaratës së publikuar nga KF Prishtina e Re lidhur me pretendimet për fyerje me bazë racore gjatë ndeshjes së sotme.
Hedhim poshtë kategorikisht këto akuza, të cilat janë të pavërteta dhe të pabazuara. Kapiteni ynë, Betim Haxhimusa, është sportist me integritet të lartë dhe një gjë e tillë nuk përfaqëson karakterin e tij.
FC Ferizaj është klub që ndërtohet mbi respektin dhe barazinë. Në skuadrën tonë bëjnë pjesë lojtarë nga prejardhje të ndryshme, përfshirë edhe lojtarë me ngjyrë, të cilët janë pjesë e pandashme e familjes sonë sportive. Kjo dëshmon qartë frymën dhe vlerat që përfaqësojmë.
E konsiderojmë të turpshme dhe të nxituar komunikatën e KF Prishtina e Re, e cila është publikuar pa asnjë bazë faktike. Theksojmë se gjatë momentit të pretenduar, shumë pranë situatës ka qenë edhe referi Nuza, gjë që e bën edhe më të pabazuar këtë akuzë.
FC Ferizaj mbetet i përkushtuar ndaj fair-play, respektit dhe dinjitetit, dhe nuk do të lejojë që emri i klubit dhe i kapitenit tonë të njolloset me pretendime të pavërteta”, shkruan në komunikatën e Ferizajt.
Prishtina e Re pas përfundimit të ndeshjes, lëshoi një komunikatë zyrtare, ku thuhej se futbollisti i Ferizajt, Betim Haxhimusa i kishte fyer në baza racore dy futbollistët e saj, Cheick Doukoure dhe Toni Gomes.
Doukoure madje gjatë ndeshjes vendosi që ta lë fushën, por u kthye pas përpjekjeve të bashkëlojtarëve të tij.
Ndeshja Prishtina e Re – Ferizaj u mbyll 1-0, me golin e shënuar nga Drilon Fazliu në kohën shtesë./GazetaExpress/