Prishtina e Re ka reaguar me një komunikatë të fortë pas incidentit të ndodhur në ndeshjen e sotme ndaj Ferizajt, duke dënuar ashpër ofendimet me përmbajtje racore ndaj futbollistëve të saj.
Klubi njofton se lojtarët Cheick Doukoure dhe Toni Gomes u bënë objekt i fyerjeve racore nga kapiteni i Ferizajt, Betim Haxhimusa.
Në reagimin zyrtar, Prishtina e Re thekson se ofendime të tilla nuk kanë vend në traditat shqiptare, kulturën dhe besimin fetar, duke shtuar se çdo anëtar i klubit qëndron fuqishëm kundër çdo forme racizmi, diskriminimi apo gjuhe urrejtjeje në sport dhe shoqëri.
Klubi rikujton se futbolli është lojë e respektit, barazisë dhe bashkimit, ndërsa çdo veprim që cenon këto vlera është i papranueshëm.
Prishtina e Re ka bërë të ditur se rasti do të adresohet pranë Federatës së Futbollit të Kosovës, duke kërkuar që organet kompetente të shqiptojnë masat më të ashpra për këtë sjellje.
Në fund, klubi ka shprehur mbështetje të plotë për lojtarët e tij dhe për çdo sportist që përballet me situata të ngjashme, duke theksuar se racizmi nuk ka vend në futboll.
KOMUNIKATA E PLOTË:
“KF Prishtina e Re dënon ashpër incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes së sotme, ku futbollistët tanë Cheick Doukoure dhe Toni Gomes u bënë subjekt i ofendimeve me përmbajtje racore nga kapiteni i FC Ferizaj, Betim Haxhimusa.
Ofendime të tilla nuk kanë pasur asnjëherë vend në traditat shqiptare, as në kulturën dhe besimin tonë fetar.
Çdo anëtar i klubit qëndron fuqishëm kundër çdo forme racizmi, diskriminimi apo gjuhe urrejtjeje në sport dhe në shoqëri.
Futbolli është lojë e respektit, barazisë dhe bashkimit, dhe çdo veprim që cenon këto vlera është i papranueshëm.
Ne do ta adresojmë rastin pranë FFK-së dhe presim që organet kompetente të shqiptojnë masat më të ashpra për këto sjellje të shëmtuara.
KF Prishtina e Re qëndron plotësisht në mbështetje të lojtarëve tanë dhe të çdo sportisti që përballet me situata të tilla.
Racizmi nuk ka vend në futboll”./GazetaExpress/