Qindra mijëra njerëz morën pjesë në demonstrata në mbarë botën të shtunën kundër qeverisë iraniane, pas thirrjeve nga djali i mërguar i shahut të ndjerë për një “ditë globale veprimi”, raporton BBC.
Duke iu drejtuar rreth 250,000 njerëzve në Mynih, Reza Pahlavi – i cili ka bërë thirrje për përmbysjen e qeverisë iraniane – dënoi shtypjen e protestave të fundit.
Mynihu, Los Angelesi dhe Toronto panë turmat më të mëdha, me protesta më të vogla në qytete përfshirë Tel Avivin, Lisbonën, Syndneyn dhe Londrën.
Vlerësohet se më shumë se 6,000 persona janë vrarë pasi iu bashkuan demonstratave kundër rritjes së kostos së jetesës në Iran, e cila u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.
Pahlavi i tha turmës: “Mesazhi im i parë është për bashkatdhetarët tanë të guximshëm dhe luftarakë brenda vendit”.
“Ta dini se nuk jeni vetëm, dhe sot bota qëndron me ju në këtë luftë”.
Duke kritikuar udhëheqjen e Iranit, ai tha: “Në kontrast me këtë regjim të korruptuar, represiv, vrasës fëmijësh, ju përfaqësoni një kulturë dhe qytetërim të madh, dhe në një Iran të lirë të së nesërmes do t’i provoni botës se çfarë kombi i madh jemi”.
Vajza e Pahlavit, Noor Pahlavi, iu drejtua një turme në Los Angeles. Partneri amerikan i BBC-së, CBS News, raportoi se ajo tha se iranianët “kurrë nuk kanë qenë kaq pranë çlirimit të tyre nga ky regjim islamik”.