Mbrojtja kundërajrore ruse rrëzoi pesë mjete ajrore pa pilot të dielën, ndërsa po i afroheshin Moskës, bëri të ditur kryebashkiaku i kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin, përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale.
Sipas tij, dronët u neutralizuan në afrimet drejt qytetit, pak para se të arrinin mbi qendrën e Moskës. Deri më tani nuk raportohet për dëme apo viktima.
Moska ka qenë shpesh në shënjestër të dronëve ukrainas që prej vitit 2022, kur Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, duke nisur pushtimin në shkallë të gjerë. Megjithatë, në shumicën e rasteve, sulmet janë ndalur nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe nuk kanë arritur të godasin objektiva strategjikë.
Në ditët e fundit, të dyja palët kanë rifilluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës, pas përfundimit të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili kishte të bënte pikërisht me ndalimin e goditjeve ndaj objekteve të tilla.