Kuvendi i Kosovës më në fund dje zhbllokoi marrëveshjet ndërkombëtare, duke ratifikuar ato me Bashkimin Europian dhe Bankën Botërore, të cilat kapin vlerën e rreth 1 miliard eurove. Këto para mbetën të bllokuara për shkak të bllokadës politike që zgjati me muaj të tërë.
Për këto marrëveshje, që kërkohet një shumicë votash, votuan edhe partitë opozitare, PDK, LDK, AAK, ndërsa deputetët prezentë të Listës Srpska abstenuan.
Deputetët u pajtuan për një shmangie nga procedurale siç parashihet me synimin për t’i kaluar sa më shpejt.
Kosova miratoi marrëveshjen me Bashkimin Europian në kuadër të Planit të Rritjes, nga i cili Kosova do të përfitojë mbi 882 milionë euro, nga të cilat 253 milionë si grant dhe 629 milionë euro në formë të kredisë.
Pas votimit në Kuvend, Zyra e BE-së në Kosovë ka mirëpritur këtë hap nga Kosova.
“Kjo i hap rrugë Kosovës që të përfitojë nga 882 milionë euro në grande dhe kredi të favorshme të orientuara drejt zbatimit të reformave për avancimin e Kosovës në rrugën e saj europiane”.
Kosova i ka ratifikuar edhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore. Afati i fundit për miratimin e një pjese të fondeve ka qenë pikërisht e premtja e 13 shkurtit.
Tri marrëveshjet parashohin programe në sfera të ndryshme: njëra në vlerë të 90.3 milionë eurove është për financim të politikave zhvillimore, efektivitet fiskal, konkurrueshmëri dhe rritje të gjelbër; dy tjerat, secila në vlerë në 18.6 milionë eurove parashohin forcimin e sistemit të shëndetësisë dhe edukimin në fëmijërinë e hershme, si dhe kujdesin për kapitalin njerëzor të Kosovës.
Por, të njëjtën mbështetje opozita s’ia dha Qeverisë për kalimin e buxhetit.
Të gjitha partitë opozitare kritikuan se s’kanë kohë të mjaftueshme për të lexuar e debatuar mbi ligjin për buxhetin, ndërsa pati edhe akuza që kjo po bëhet qëllimshëm për të shmangur debatin.
Pas kundërshtimit nga deputetët opozitarë dhe pas konsultimeve mes shefave të grupeve parlamentare, seanca është shtyrë për të hënën në orën 10:00.
Kundërshtimit të partive shqiptare se nuk ka kohë të mjaftueshme për leximin e gjithë projektligjit iu bashkua edhe Lista Srpska që tha se s’mund të lexohet gjithë ai dokument për aq pak kohë.
Opozita i kërkoi ekzekutivit tri-katër ditë kohë në mënyrë që të mund ta lexojnë e më pas edhe të debatojnë mbi të.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e konsideruar ligjin si më të rëndësishmin, kërkoi edhe prezencën e kryeministrit Albin Kurti për të prezantuar e diskutuar buxhetin.
Ai kritikoi po ashtu se në këtë buxhet nuk janë paraparë disa ministri dhe tha se vetë ministrat e këtyre ministrive është dashur ta kundërshtojnë këtë buxhet.
Deputetët opozitarë e kanë arsyetuar mosvotimin e tyre, duke thënë se një ditë më parë e kanë mbështetur propozimin e Qeverisë për zgjatjen buxhetore për muajin mars nga buxheti i vitit të kaluar.
Kjo zgjatje ka qenë e domosdoshme që të mos ketë ndërprerje në pagat e punëtore të sektorit publik dhe pagesave të tjera./Express/