Në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, presidenti i Francës Macron kritikoi politikën e SHBA-së dhe kërkoi më shumë guxim nga Evropa.
Presidenti i Francës, Emanuel Macron, theksoi në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih mundësitë e Evropës. “Kjo është koha e duhur për një Evropë të fortë,” tha ai para shumë politikanëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë. “Nëse duam të na marrin seriozisht, duhet t’i tregojmë botës se ne mbrojmë pa lëkundje interesat tona,” shtoi Macron.
Macron reagon ndaj kritikave të SHBA-së për Evropën
Macron iu përgjigj kritikave për Evropën nga ana e SHBA-së, si për shembull ato të shprehura një vit më parë në Mynih nga zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance.
Europa shpesh akuzohet për të qenit e ngadaltë, e mbirregulluar dhe burokratike, tha Macron.
Ai iu kundërvu këtyre pohimeve duke theksuar: “Europa është një konstrukt shtetesh sovrane. Ne kemi institucionalizuar paqen dhe kemi krijuar një varësi të ndërsjellë ekonomike.” Ky nuk është një model i vjetëruar, tha Macron, “por pikërisht ajo që na nevojitet”.
“Bota duhet të frymëzohet nga ne, në vend që të na kritikojë vazhdimisht dhe të përpiqet të na ndajë,” kërkoi ai.
Macron kërkoi gjithashtu një riorientim themelor të politikës evropiane të sigurisë./DW/