Në vitet ’60 dhe ’70, regjisori britanik John Schlesinger ishte ndër figurat që ndryshuan rrjedhën e kinemasë anglo-amerikane.
Ai solli realizmin social në ekran, theu tabu rreth seksualitetit dhe fitoi çmime Oscar. Megjithatë, fundi i karrierës së tij u shënua nga dështime artistike dhe madje nga realizimi i një filmi promovues për Partinë Konservatore britanike – një kthesë që habiti shumëkënd.
Nga “kitchen sink” te Oscar-i
Schlesinger u bë i njohur me dramën realiste A Kind of Loving, pasuar nga Billy Liar dhe Darling, me protagoniste Julie Christie. Këta filma ndihmuan në formësimin e valës së re britanike, duke trajtuar klasën punëtore, ambicien dhe zbrazëtinë morale.

Kulmi erdhi me Midnight Cowboy, adaptim i romanit të James Leo Herlihy. Filmi – një histori e errët për miqësinë mes një mashkulli të ri që shet trupin dhe një të margjinalizuari në Nju Jork – tronditi publikun me përmbajtjen e tij eksplicite. Në një shfaqje paraprake, shumë spektatorë u larguan nga salla. Vetë Dustin Hoffman, që luante Ratso Rizzo, mendoi se filmi mund t’i shkatërronte karrierën të gjithëve.
Ndodhi e kundërta: Schlesinger fitoi Oscar për regjinë më të mirë dhe “Midnight Cowboy” u bë filmi i parë me klasifikim X që fitoi çmimin për filmin më të mirë.
Seksualiteti në qendër
Në vitin 1971 ai realizoi kryeveprën Sunday Bloody Sunday, një trekëndësh dashurie mes një artisti biseksual, një mjeku homoseksual (luajtur nga Peter Finch) dhe një gruaje të divorcuar (Glenda Jackson). Një puthje mes dy burrave u shfaq në plan të afërt, pa muzikë dramatike apo shmangie – një moment i rrallë për kohën dhe një hap i rëndësishëm për përfaqësimin LGBTQ+ në kinemanë kryesore.
Ai vazhdoi me suksese si Marathon Man, me skenën famëkeqe të torturës nga Laurence Olivier, si dhe filma televizivë të vlerësuar si An Englishman Abroad dhe A Question of Attribution, të shkruar nga Alan Bennett.
Ekletik dhe i vështirë për t’u kategorizuar
Filmografia e tij është e larmishme: nga satira e errët The Day of the Locust, te romanca e luftës Yanks dhe komedia e çuditshme Honky Tonk Freeway. Ky eklektizëm e bëri të vështirë “markimin” e tij si autor me një stil të vetëm të dallueshëm.

Disa kritikë besojnë se temat e tij rrotullohen rreth mbijetesës dhe përpjekjes për të gjetur kuptim në një botë armiqësore. Të tjerë theksojnë se ai ishte gjithmonë në sinkron me ndryshimet shoqërore, veçanërisht në trajtimin e identitetit seksual.
Kontradiktat dhe rënia
Megjithë reputacionin si pionier progresist, Schlesinger realizoi në vitin 1991 një film të shkurtër promovues për Partinë Konservatore dhe John Major, vetëm pak vite pas miratimit të nenit famëkeq 28 kundër “promovimit” të homoseksualitetit në shkolla. Vetë regjisori pranoi se kishte votuar konservatorët – një zgjedhje që shumë e panë si paradoksale.
Vitet e fundit të karrierës u shënuan nga dështime si The Believers dhe The Next Best Thing, me Madonna dhe Rupert Everett. Aktori Sean Penn, që kishte punuar me të në The Falcon and the Snowman, sugjeroi se regjisori ishte bërë më i kujdesshëm dhe më pak i guximshëm.

Temperamenti i tij ishte legjendar; bashkëpunëtorët e përshkruanin si shpërthyes. Dështimet e prekën rëndë dhe, sipas partnerit të tij afatgjatë Michael Childers, ai vuante nga depresioni.
Një trashëgimi e ndërlikuar
Sot, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, organizohen retrospektiva në SHBA dhe Britani për të rikthyer vëmendjen ndaj veprës së tij. Filmat e hershëm mbeten klasikë të padiskutueshëm, ndërsa dështimet e mëvonshme ofrojnë një portret më njerëzor dhe kompleks.
Historia e John Schlesinger nuk është vetëm ajo e një regjisori fitues Oscar-i, por e një artisti që sfidoi normat, provoi zhanre të ndryshme dhe jetoi mes sukseseve të mëdha e gabimeve të bujshme. Në fund, ndoshta pikërisht këto kontradikta e bëjnë figurën e tij kaq intriguese. /GazetaExpress/