Një kulturë gjithnjë e më e përhapur e “ushqimit të pastër” dhe sfidave intensive të fitnesit po i ekspozon të rinjtë ndaj një rreziku në rritje për fraktura dhe dëmtime të kyçeve, përfshirë osteoartritin, paralajmërojnë ekspertët ortopedë.
Kirurgë ortopedë raportojnë një shtim të rasteve me dëmtime në gjunjë, ijë, shputa dhe shpinë tek pacientë gjithnjë e më të rinj, të lidhura me stërvitje me intensitet të lartë. Gara si CrossFit dhe Hyrox, si edhe maratonat dhe regjimet strikte ushqimore, janë bërë pjesë e stilit modern të jetesës.
Megjithatë, specialistët theksojnë se shumë prej këtyre entuziastëve nuk janë të vetëdijshëm se ngarkesat ekstreme mbi trupin – sidomos në moshë të re, kur sistemi skeletor ende konsolidohet – mund të kenë pasoja afatgjata.
Pse po rriten rastet?
Osteoartriti është një sëmundje që shkakton dhimbje dhe ngurtësi të kyçeve. Rreth gjysma e njerëzve mbi 70 vjeç zhvillojnë një formë artriti, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar osteoartriti prek rreth 10 milionë persona. Tradicionalisht shihej si problem i moshës së mesme e të tretë, por diagnozat tek të rinjtë po shtohen.


Normalisht, kyçet përballen çdo ditë me dëmtime të vogla që organizmi i riparon vetë. Në osteoartrit, kërcet mbrojtëse në skajet e kockave degradohen gradualisht, derisa kyçi nuk arrin më të rigjenerohet.
Faktorët që ndikojnë përfshijnë:
predispozitën gjenetike,
mbipeshën,
ngarkesat e përsëritura mbi kyçe,
dëmtimet traumatike,
duhanpirjen.
Forma post-traumatike e osteoartritit lidhet me fraktura që përfshijnë kyçin (si kyçi i këmbës, i dorës apo gjuri), të cilat mund të ndryshojnë mekanikën e lëvizjes dhe të përshpejtojnë konsumimin e kërcit.
Ushtrimi: Zgjidhje apo problem?
Aktiviteti fizik është një nga ndërhyrjet më efektive kundër osteoartritit. Por ekspertët theksojnë se lloji dhe balanca e ushtrimeve janë thelbësore.
Dendësia minerale e kockave arrin kulmin rreth moshës 30 vjeç. Nëse gjatë rinisë nuk krijohen kocka të forta, rreziku për dobësim kockor rritet më vonë.
Rekomandohet kombinimi i:
ushtrimeve me ngarkesë (si vrapimi dhe kërcimet, që stimulojnë rritjen e kockës),
me ushtrime force dhe rezistence (p.sh. Pilates).
Megjithatë, shumë persona nisin programe intensive pa përgatitje graduale, çka rrit rrezikun e dëmtimeve të indeve të buta. Shpesh, ajo që perceptohet si “tërheqje muskulore” mund të jetë në fakt një dëmtim më serioz.
Siç theksojnë specialistët: gjithçka duhet bërë me masë.
Roli i dietës
Ndërsa të ushqyerit e shëndetshëm është thelbësor, eliminimi i grupeve të tëra ushqimore mund të jetë problematik. Shumë të rinj, sidomos gra, heqin dorë nga produktet e bulmetit, duke ulur marrjen e kalciumit – element kyç për shëndetin e kockave.

Ekspertë nga Royal Osteoporosis Society paralajmërojnë se, pa ndërhyrje urgjente për të promovuar dieta të balancuara, frakturat mund të bëhen “normë” në të ardhmen.
Ushqimet e pasura me kalcium dhe me veti anti-inflamatore ndihmojnë në mbrojtjen e kyçeve dhe reduktimin e inflamacionit. Mungesat ushqyese, të kombinuara me stërvitje ekstreme, krijojnë një kombinim të rrezikshëm.
Shenjat paralajmëruese që shpesh injorohen
Simptoma të hershme si:
dhimbje të lehta në gjunjë apo ijë,
ngurtësi që shfaqet dhe largohet,
ndjesi kërcitjeje gjatë lëvizjes,
shpesh interpretohen si shenjë që “duhet më shumë stërvitje”. Kjo bën që shumë të rinj të vonojnë konsultën mjekësore derisa dëmtimi të jetë avancuar.
Osteoartriti zhvillohet gradualisht. Me konsumimin e kërcit, kockat fillojnë të fërkohen me njëra-tjetrën, duke shkaktuar ënjtje, ndjeshmëri dhe dhimbje.
Parandalimi është kyç
Ekspertët bien dakord se ndërhyrja e hershme – përmes ushtrimeve të balancuara, forcimit të muskujve, dietës së plotë dhe shmangies së ekstremeve – mund të reduktojë dhimbjen dhe të parandalojë dëmtime afatgjata.
Mesazhi është i qartë: aktiviteti fizik është thelbësor për shëndetin, por obsesioni me performancën dhe kufizimet e panevojshme ushqimore mund të kthehen në rrezik për kyçet dhe kockat e një brezi të tërë. /GazetaExpress/