Rreth 20 milionë tableta të falsifikuara për trajtimin e disfunksionit erektil janë sekuestruar në Mbretërinë e Bashkuar gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa autoritetet shëndetësore paralajmërojnë burrat të shmangin blerjet online të “pilulës blu”.
Sipas të dhënave të Medicines and Healthcare products Regulatory Agency (MHRA), mes viteve 2021–2025 janë konfiskuar 19.5 milionë doza ilaçesh për ereksionin. Vetëm në vitin 2025 janë sekuestruar mbi 4 milionë tableta, në bashkëpunim me autoritetet kufitare për të ndërprerë rrjetet kriminale të organizuara.
Shifra është e barabartë me një dozë për rreth tre të katërtat e meshkujve në vend – ose mjaftueshëm për të mbushur dy autobusë dykatësh.
Çfarë përmbanin tabletat e falsifikuara?
Shumë prej tyre shiteshin në mënyrë të paligjshme online dhe:
nuk përmbanin asnjë përbërës aktiv,
kishin dozë të gabuar,
ose përmbanin substanca të fshehura dhe toksike, përfshirë metale të rënda.
Medikamentet për disfunksionin erektil janë ndër produktet më shpesh të kapura në tregtinë e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, me nivele që janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2022.
Andy Morling, drejtues i zbatimit në MHRA, theksoi se ndjenja e turpit dhe stigma po shfrytëzohen nga grupet kriminale për të shitur produkte të rrezikshme. Ai paralajmëroi se çdo ilaç i paautorizuar në Mbretërinë e Bashkuar mund të jetë i pasigurt dhe joefektiv, ndërsa përmbajtja e tyre reale shpesh është e panjohur.
“Tabletat mund të duken origjinale, por shumë prej tyre janë potencialisht të rrezikshme,” u shpreh ai.
Çfarë është sildenafil?
Sildenafil, i njohur me emrin tregtar Viagra, përdoret për trajtimin e problemeve me ereksionin. Ai vepron duke rritur përkohësisht qarkullimin e gjakut në penis, por funksionon vetëm në prani të stimulimit seksual.
Në farmacitë britanike, barnat i nënshtrohen kontrolleve të rrepta cilësie. Edhe pse çdo ilaç për ereksionin mund të ketë efekte anësore – si dhimbje koke, të përziera, marramendje apo probleme me tretjen – produktet nga burime të pasigurta mund të jenë joefektive ose toksike.
Sipas NHS, sildenafil nuk është i përshtatshëm për meshkuj që:
marrin ilaçe për dhimbje gjoksi,
kanë probleme serioze me zemrën ose mëlçinë,
vuajnë nga tensioni i ulët i gjakut.
Farmacistët e licencuar zakonisht bëjnë pyetje mbi historikun shëndetësor përpara se ta rekomandojnë.
Efektet anësore serioze janë të rralla (më pak se 1 në 1,000 raste), por mund të përfshijnë kriza epileptike, ereksion të zgjatur dhe të dhimbshëm mbi dy orë, dhimbje gjoksi ose reaksion alergjik të rëndë (anafilaksi).
Sa i përhapur është problemi?
Disfunksioni erektil prek rreth 4.3 milionë meshkuj në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë gjysmën e burrave nga 40 deri në 70 vjeç. Një në 10 meshkuj pritet ta përjetojë të paktën një herë gjatë jetës.
Megjithatë, studimet sugjerojnë se dy në pesë burra shmangin kërkimin e ndihmës mjekësore – duke i shtyrë disa drejt tregjeve të rrezikshme online.
MHRA paralajmëron se blerja e barnave nga faqe të paregjulluara, rrjete sociale apo aplikacione mesazhesh është një “lojë fati me shëndetin”. Çdo dyshim për produkte ose faqe të dyshimta mund të raportohet përmes skemës “Yellow Card”.
Çfarë është impotenca?
Disfunksioni erektil (impotenca) është paaftësia për të arritur ose mbajtur ereksion.
Është më i zakonshëm pas moshës 40 vjeç, por mund të prekë meshkuj të çdo moshe. Episodet e rastësishme shpesh lidhen me lodhje, stres, ankth apo konsum alkooli dhe zakonisht nuk janë shqetësuese.
Megjithatë, mund të jetë shenjë e problemeve shëndetësore si tensioni i lartë, kolesteroli i lartë, çrregullime hormonale apo efekte anësore të barnave.
Faktorë të stilit të jetesës që ndikojnë përfshijnë:
obezitetin,
duhanpirjen,
konsumimin e tepërt të alkoolit,
stresin,
aktivitetin e tepruar me biçikletë.
Ekspertët theksojnë se konsultimi me mjekun është gjithmonë alternativa më e sigurt krahasuar me blerjet e rrezikshme online. /GazetaExpress/