Eseja e javës/ Montaigne: Mbi mosndarjen e famës  - Gazeta Express
string(46) "eseja-e-javes-montaigne-mbi-mosndarjen-e-fames"

Arte

Gazeta Express

13/02/2026 14:51

Eseja e javës/ Montaigne: Mbi mosndarjen e famës 

Arte

Gazeta Express

13/02/2026 14:51

Michel de Montaigne (1533-1592), filozof, shkrimtar dhe politikan francez. I njohur edhe si aforist, Montaigne pas tërheqjes nga jeta publike iu përkushtua studimit dhe shkrimit të Eseve të tij, të cilat patën një ndikim të jashtëzakonshëm në Francë dhe në mbarë botën

MBI MOSNDARJEN E FAMËS  (Libri I, 41)

Nga Michel de Montaigne

Nga të gjitha përhanjet në këtë botë, më e pranueshmja dhe më universalja është kujdesi ndaj reputacionit dhe lavdisë, në ndjekje të të cilave ne shkojmë deri aty sa të braktisim shëndetin, pushimin, jetën dhe prehjen (që janë të mirat e substancës dhe rrjedhojës) me qëllim që të ndjekim atë imazhin e kotësisë dhe atë botën e thjeshtë që nuk ka trup, asgjë, në të cilën do të mund të mbaheshim. 

 a fama, ch’ invaghisce a un dolce dolce suono/  Gli superbi mortali, & par si bella,/ E un echo, un sogno, anzi d’un sogno un ombra/ Ch’ ad ogni vento si dilegua et sgombra. 

[Atë famën që magjeps vdekatarët krenarë me fjalët e saj të mëdha dhe që duhet aq e bukur, nuk është veçse një jehonë, një ëndërr, po çfarë, hija e një ëndrre, të tretur dhe të shpartalluar nga secili vërtik i erës.]

Dhe në mesin e të gjitha humoreve iracionale të njeriut, duket se edhe filozofët e lirojnë veten nga kjo më vonë dhe me më pahir se nga të tjerat. Është përhanja më neveritëse dhe e pashqitshme: ‘Quia etiam bene proficientes animos tentare non cessat’ [përderisa nuk resht kur tundojë edhe ata shpirtra që janë më të virtytshëm1]. Asnjë tjetër nuk është akuzuar më shumë për kotësi nga arsyeja, por rrënjët e saj janë aq aktive brenda nesh sa dyshoj nëse ndonjëri ia ka dalë mbanë ndonjëherë të heqë qafësh. Kur ke thënë gjithçka për ta mohuar dhe ke besuar se ia ke dalë, ajo prapë vazhdon të angazhojë bindjen e brendshme kundër argumenteve të tua sa të mbesin fare pak mjete që t’i bësh ballë. 

Se, siç thotë Ciceroni, edhe ata që luftojnë atë ende duan që librat e tyre kundër saj të mbajnë emrat e tyre në titull dhe shpresojnë të bëhen të famshëm për përçmimin e famës2. Ghithçka tjetër është subjekt trambe: ne do të lejojmë miqët tonë të kenë të mirat tona dhe jetët tona po qe nevoja: por që të bashkëndajmë famën tonë dhe t’I bëjmë dikujt tjetër dhuratë reputacionin tonë zor se mund të bëjë vaki. 

Në luftën kundër kimbrianëve, Katul Laktati bëri çmos të ndalonte ushtarët e tij që po iknin para armiqve të tyre: pastaj edhe ai mori rrugën dhe u shtir se edhe ai vetë ishte frikacak ashtu që pastaj të dukej se ata po ndiqnin komandantin e tyre e jo se po iknin nga armiku. 

Kur perandori Çarlsi V e pushtoi Provancën më 1537 besohej se Antonio de Leyva, duke parë se monarku i tij ishte bukur i vendosur të çonte përpara ekspeditën e tij dhe duke besuar se do t’i rritej fama fort, foli kundër dhe e këshilloi të mos e bënte; caku i tij i vetëm ishte që gjithë fama dhe nderi i vendimit t’i atribuohej monarkut të tij, e të gjithë të tjerët thoshin se gjykimi dhe parashikimi i tij kishin ndikuar që të merrte fund një ndërmarrje aq e drejtë kundër opinionit të të gjithëve. Kjo ishte të nderonte të zotin e vet në dëm të vetvetes. 

Kur ambasadorët trakianë po e ngushëllonin Argelionidisën pas vdekjes së të birit, Brasidasit, dhe po e çmonin atë aq lart sa të vajtonin se nuk kishte mbetur më asnjë si ai, ajo e refuzoi një vlerërsim të tillë privat të nj individi dhe e përgjithësoi: ‘Mos ma thoni mua këtë,’ gjegji ajo. ‘Unë e di se qyteti i Spartës ka shumë qytetarë më të mëdhenj dhe më të vlefshëm se sa që ishte im bir.’ Në betejën e Crecy-t, Princi i Uellsit, ende riosh, po i printe pararojës; forcat kryesore kundërvrepruese të betesjës ishin drejtuar ndaj tij. Lordët që e shoqëronin, duke parë se pçrballja ishte e vështirë, dërguan një spedicion që t’i kërkonin Mbretit Edward t’u vinte në ndihmë: ai pyeti si po ia dilte biri i tij: kur i thanë se ishte gjallë dhe në shalë, ai tha, ‘Do të bëja gabim po të vija tash dhe t’ia vidhja nderin e fitores në këtë betejë ku ai ka bërë më të mirën; cilido qoftë rreyiku, ai nder do të jetë vetëm i tiji.’ Nuk kishte shkuar vetë as nuk kishe dërguar ndihmë, krejt i vetëdijshëm se po ta bënte atë njerëzit do të thoshin se pa ndërhyrjen e tij do të kishin humbur gjithçka dhe se merita e asaj ekspedite do t’i ishte atribuuar atij vetë: ‘semper enim quod postremum adjectum est, id remtotam videtur traxisse’ [kur forcat e fundit, duket sikur ato vetë e kryejnë krejt punën3].

Njerëz të shumtë në Romë mendonin, siç thuhet nga të gjithë, se të arritur më të mëdha të Shipionit ishin pjesërisht falë Laeliusit, i cili megjithatë ishte përherë në lëvizje dhe i qëndronte nën hijen e nderit dhe madhështisë së Shipionit, pa e çarë kokën për të veten. 

Njeriut që i kishte thënë Teopompusit, Mbretit të Spartës, se qytetarët i rrinin te këmbët se ai ishte shumë i zoti në dhënien e urdhrave, ai i ishte përgjigjur, ‘Më parë është ngase ata janë kaq të zotë t’iu nçnshtrohen atyre4.’ 

Ashtu siç, pavarësisht gjinisë së tyre, gratë që kishin tituj fisnikërie kishin të drejtë të merrnin pjesë dhe të jepnin mendimin e tyre në rastet e komptetencave të të parëve të mbretërisë, ashtu edhe prijësit spiritualë, pavarësisht thirrjes së tyre, ishin të thirrur të asistonin mbretërit tonë në luftërat e tyre jo vetëm me aleatët dhe ndjekësit e tyre, por edhe vetë personalisht. Ipeshkvi i Beauvais ishte me Philip Augustusin në betejën e Bouvines dhe luftoi shumë trimërisht në atë ndërmarrje; por nuk iu duk e drejtë të bëhej më i pushtetshëm ose lavdishëm me anë të një veprimi të tillë të dhunshëm dhe të përgjakshëm. Ai personalisht zuri një mori armiqsh atë ditë, por i dorëzoi te bujari i parë që doli përpara, të cilit i lejohej të bënte çfarë të donte me ta, madje edhe t’i therte në fyt, ose t’i mbante të burgosur; kësodore ia dha kontin Williams të Salisburyt mesirit Jean de Nesle. Me një sqimë ndërgjegjeje të ngjashme me atë të të lartpërmendurve, ai ishte i përgatitur të linte njeriun në vend pa ndjenja, por jo ta qëllonte: kjo është arsyeja pse ai kishte luftuar vetëm me një çomangë5. Dikush në kohën time u kritikua nga Mbreti pse ‘kishte vënë dorë mbi një klerik’; ai mohoi atë gjë kategorikisht dhe vendosmërisht: e gjitha që kishte bërë ishte se e kishte grushtuar dhe shqelmuar.

Shënime:

1. Torquato Tasso, Jerusalemi i çliruar, XIV, 63; Sh. Agustini, Qyteti i Zotit, V, xiv.

2. Ciceroni, Tusc. disput., I, xv, 34–5.

3. Du Bellay Mémoires, VI; Plutarch (tr. Amyot), Dicts notables des Lacedaemoniens, 216B; Froissart, Chroniques; Livy, XXVII, xlv.

4. Plutarch (tr. Amyot), Instruction pour ceux qui manient affaires d’Estat, 166BC; 172H–173A.

5. Bishop Jean Du Tillet, La chronique des Roys de France.

/Michel de Montaigne, ‘The Complete Essays’, Penguin, 1993

/Përkthimi: Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement