Epistula e javës/ Lucia Berlin për Helene Dorn: 5 shkurt 1960 - Gazeta Express
string(59) "epistula-e-javes-lucia-berlin-per-helene-dorn-5-shkurt-1960"

Arte

Gazeta Express

13/02/2026 14:50

Epistula e javës/ Lucia Berlin për Helene Dorn: 5 shkurt 1960

Arte

Gazeta Express

13/02/2026 14:50

Lucia Berlin (1936-2004), shkrimtare amerikane, u lind në Alaskë dhe e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë nëpër vende të ndryshme, ndërsa adoleshencën në Santiago të Kilit. Pati tri martesa dhe një jetë të varur nga alkooli. Sa ishte gjallë vlerësohej lart nga shkrimtarë si Saul Ballow dhe Lidia Davis, mirëpo u bë mjaft e njohur vetëm pas vdekjes, më 2015, kur iu botua përzgjedhja A Manual for Cleaning Women.

Për Helene Dorn

5 shkurt 1960

E dashur Helene, 

I kam pritur shpirtrat mjaftueshëm që të ta shkruaj një letër, por nuk erdhën, kështu që do të të flas vetëm për atë se sa e këndshme ishte të merrja letrën tënde të mirë, të dëgjoja për ditëlindjen tënde të lumtur, zogjtë dhe (dreqi e mori!) Nju Meksikon, që tungëllon shumë bukur, sidoqoftë. Hej, është shumë mirë që paske marrë vesh për stuhitë e borës. Si është e mundur që kurrë nuk kemi folur për to? Më pëlqen pa masë mënyra se si Fredi ka bërë atë vizatimin, të pastër dhe të ndritshëm, me tërë butësinë e tij, si atëherë kur të shikon thua se është gati të qajë ose të qeshë. Më mungojnë, të gjithëve na mungojnë vërtet shumë fëmijët e tu. 

Do të doja të të flisja, të flisja me ty. Gjërat këtu nuk janë edhe aq mirë. Nuk ka punë dhe kemi qenë duke jetuar si të papunësuar nga këtyre kohëve. Race është shumë i merakosur dhe i tensionuar. Po m’i shter të gjitha fuqitë që kam, është sikurse kjo të ishte loja e fundit që mund të luaj, duke u munduar të jem e parëndësishme, të mos ndihem fajtore, apo të mos lëshohem, apo të jem xheloze, apo të papërshtatshme. Çka kam qenë duke bërë, duke e shkërdhyer jetën time? Vetëm para pak muajsh, ndoshta javësh, nisa të mësoja rreth të të dashuruarit, rreth dashurisë. Tash papritur po e kuptoj martesën dhe se sa lehtësisht e kam marr deri më tash, sa e rëndë është në të vërtetë (dhe sa e thjeshtë).

Ka bukur shumë gjëra të parëndësishme këtu rrotull. Bukur bukur shumë mbrapshti të pashoqe, kryesisht në skenën e dëfrimit, kryesisht vogëlsira. Për një copë kohe dukej sikur gjithçka sillej rreth Creeleyt, se çdonjëri po hiqte dorë nga emri i tij dhe ankesat e tyre. Mandej papritur i rashë në të se edhe unë kisha bërë po atë gjë. Dikur kur isha bukur e vogël në Grand Canyon ishte një kameriere me një tabaka të madhe kafesh me kafe në kupa duke shërbyer në restorant. Njëra nga kupat ra dhe u bë copa në dysheme dhe ajo disi i ngriti sytë në qiell dhe tha oh dreqin, e përplasi gjithë tabakanë në dysheme dhe e bëri përshesh. Kjo është ajo që unë bëj gjithë kohës. U ndjeva shumë keq për çkado që kisha thënë për Bobin mbrapa shpinës së tij sa vendosa t’ia thosha në surrat. Kështu që i shkrova një letër të tmerrshme, me të gjitha gjërat e tmerrshme që mund t’i mendoja, dhe siç e di edhe ti, nuk mund ta mbështes asnjërën prej tyre. E kam lënduar keq, e kam neveritur atë dhe veten time. Mendoj se pak a shunë kam mësuar një gjë tjetër. Mund t’i mendoj gjithë ato gjëra për Bobin, por kurrë s’kanë psaur asgjë të bëjnë me atë se kush ishte ai, gjërat e vërteta të mira që i respektoj tek ai dhe për të cilat e dua atë. Nuk e kisha kuptuar se sa e thjeshtë është të shkatërrosh gjërat. Vazhdoj të përpiqem të mendoj se gjëja kryesore te një njeri janë veprimet e tij dhe kjo nuk është e vërtetë. Në njëfarë mënyre, çështja është cilat veprime janë ai njeri. Dreqin, jam betuar të mos të të shkruaj kurrë më ndonjë letër bezdisëse. Po kjo është tamam ajo që po bëj tash.

E kalova mëngjesin, ditë balsamike, me Goodmanët dhe ishte për mrekulli. Disi pjesën më të madhe të kohës folëm për gjëra personale, është e pamundshme të jesh i drejtpërdrejtë ose personal me gjërat. Dje ishte e paparë, çdonjëri po e kuptonte se sa shum gjëra ka për të rrëmuar, parë dhe dëgjuar. Ishte vërtet një gjë e lezetshme. 

 Kalova bukur do kohë në librarinë e dorës së dytë, The Blue Faun, kur gjeta The Purple Land, dhe ku po mundohem të gjej autobiografinë. ‘Është e kaltër e çelët dhe e shyer në fund’, tha djali. Ai nuk mund të shohë… me shumë vështirësi dhe i njeh të gjitha librat nga kopertina. Ka një mendim për të gjitha dhe gjithçka, e kuptova këtë ngase po këmbëngulte ta blija atë libër. Ai është Guerney, përkthyesi rus. “Kanë nisur të më zbulojnë prapë.” Tash po e kuptoj pse Nabokovi mund të thotë se ai është përkthyesi i vetëm nga rusishtja… ngase ai është harbut. Lolo. Ësht saktësisht si babai Karamazov. Ai është me gjasë personi më i rëndomtë që kam njohur ndonjëherë, mban hundën përpjetë gjoja se ka përkthyer Lorkën pa e njohur asnjë fjalë të vetme spanjisht. Jam e befasuar dhe është mirë, ngase është një shembull i mirë i asaj çfarë po thoshim rreth përkthyesve. Nuk ka të bëjë as me gjetjen e “shpirit” përtej fjalëve, ky djalë e bën atë gjë shumë mirë, ja e sigurt për këtë. Inkuizitori i tij i madh i jep një lloj kuptimi bukur më troç dhe rus, por nuk është i bukur. Megjithatë është goxha i zoti i fjalës. Është hundëpërjetë dhe dogmatik, i përplas këmbët dhe është qesharak, kjo është ajo që bën. O Zot, atij i pëlqen të lexojë, e do rusishten dhe gjërat që përkthen, librat që i mban për të rëndësishëm… “Nëse të pëlqen Hudsoni, atëherë do të të pëlqejë edhe ky, blije këtë… Oh jo, sa budalla!” thotë dhe është përnjëmend i mërzitur.

Poezitë natyrisht janë përkthime. Sa i përket romanit, ata paguajnë paraprakisht një shumë për një opsion faqesh (pasi që ta rishikojnë për të nëntëdhjetën herë) që e ke gati. Ata e lexojnë atë, por jo si një kërkesë “zyrtare”, derisa të mos jetë përfunduar ajo dreq gjëje, por unë e urrej atë dhe mbase kurrë nuk do ta mbaroj. Sidoqoftë, ata e rrëmojnë këtë gjë dhe thonë se do ta blejnë, atëherë pra nuk e di pse nuk po e përfundoj, apo pse nuk po e dërgoj një përfundim bukur të kompletuar dhe mjaftueshëm faqe ashtu që të mund të ma japin një avanc tjetër. Ata dhe agjenti po vazhdojnë të më shkruajnë për atë se kur do të dalim për drekë që të flasim për këtë gjë, duke qenë se është një kinemakop i vërtetë i llojit të Tab Hunterit në kalë në skenën me erë, rreth të drejtave të filmit, etj. Jam kthyer në pikën nga ku jam nisur dhe nuk dua t’iu dërgoj më asgjë, edhe po m’u deshën si për gjak ato dreq parash, ngase në këtë moment, kjo është e gjitha që do të doja t’ua dërgoja. Pra po ia filloj edhe njëherë, duke shtuar pothuajse në çdo faqe. Gjëja e mirë është se shumicën e asaj që është bërë tash e mëltoj bukur shumë. Gjëja e trishtë është se e kam shkruar kur kam qenë, epo mirë, dreqin, po, kur kisha një lumë gëzimesh në zemrën time të shkretë, kur mund të shkruaja rreth të gjitha atyre personazheve dhe të ndieja përnjëmend diçka për ta, të vrisja mendjen se çka mund të bënin në paragrafin e ardhshëm, apo se a do të mendonin se kjo a ajo gjë është intersante apo e bukur. Tash kur mundohem të vazhdoj kështu, nuk ia dal dot mbanë. E kam shikuar veten tepër gjatë. Tash po shikoj përreth, po mundohem ta bëj këtë, por siç thashë, është shumë e vështirë ta bëj këtë duke e shikuar drejt në sy. 

E pashë Children of Paradise. Po ti?

Me dashuria, Lucia

/Marrë nga Lucia Berlin, ‘Welcome home – A Memoir with Selected Photographs and Letters’, Picador, 2018

/Përkthimi: Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement