Oda Ekonomike e Kosovës ka mbledhur përfaqësues të bizneseve dhe organizatave ekonomike në kuadër të Forumit të Sektorit Privat, ku është kërkuar mbështetje konkrete nga qeveria për hartimin e politikave që ndihmojnë drejtpërdrejt zhvillimin e sektorit privat. Në takim u theksua rëndësia e stabilitetit institucional, koordinimit me institucionet shtetërore dhe krijimit të një klime më të favorshme për investime dhe rritje ekonomike, shkruan KosovaPress.
Kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna, u shpreh se themelimi i institucioneve të reja dhe funksionaliteti i plotë i tyre është një lajm i rëndësishëm për ekonominë.
Siç tha ai, bizneset presin mbështetje konkrete nga qeveria në hartimin e politikave ekonomike dhe shtoi se sektori privat është i gatshëm të jetë partner bashkëpunues për zhvillimin ekonomik të vendit
“Sot jemi këtu me një mendim optimist, pasi që vendi ynë tashmë ka themeluar institucionet e reja, që nënkupton të pasurit institucionet e vendit fuqiplotë, është lajmi më i mirë që na është dashur në këtë moment për të ecur përpara. Ne si forum presim dhe i mirëpresim përkrahjen e qeverisë në zhvillimin e politikave ekonomike që ndihmojnë drejtpërdrejt biznesin dhe jemi këtu për të konfirmuar se ne jemi maksimalisht të interesuar që të jemi partnerë bashkëpunues për të mirën e zhvillimit ekonomik të vendit me gjithë ekspertizën tonë dhe mundësitë që i kemi. Duhet theksuar se fuqizimi i ekonomisë kosovare dhe stabiliteti ynë politiko-juridik janë çelësi për zgjerimin e investimeve të brendshme dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Ky është një momentum dhe mundësi jona më e mirë që mund ta kemi në këtë moment dhe më e forta në arenën ndërkombëtare, për ta shfrytëzuar që të kemi sa më shumë mundësi për zhvillim ekonomik dhe të konsolidimit tutje të shtetit të Kosovës”.
Se qëllimi i krijimit të këtij forumi është forcimi i zërit të sektorit privat dhe afrimi i tij me institucionet, tha drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Besnik Vasolli.
Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes sektorit privat dhe institucioneve shtetërore.
Se bizneset kanë nevojë për mbështetje të gjerë nga politika, qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë, u shpreh përfaqësuesi i Klubit Slloven të Bizneseve, Bajram Fusha.
E, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, tha se përfshirja në këtë forum u jep mundësi bizneseve që kërkesat e tyre të artikulohen më qartë para institucioneve qendrore dhe lokale.