Kancelari gjerman, Merz hapi fjalimin në Konferencën e Sigurisë në Mynih duke thënë se kjo konferencë ka qenë gjithmonë një “sizmiograf” i situatës politike globale, duke kujtuar pjesëmarrjen e tij ndër vite për të forcuar marrëdhëniet me SHBA-në.
Ai theksoi se vitet e fundit janë karakterizuar nga rritje tensionesh dhe konfliktesh, veçanërisht agresioni rus kundër Ukrainës. Sipas tij, motoja e konferencës “under destruction” (nën shkatërrim) është madje shumë e butë për realitetin aktual, sepse “rendi botëror siç e njihnim nuk ekziston më”.
Merz deklaroi se Evropa “është kthyer nga një pushim nga historia” dhe se bota po hyn në një epokë të politikës së fuqive të mëdha. Ai përmendi “revizionizmin e dhunshëm” të Rusisë si shkak të luftës në Ukrainë dhe shtoi se Kina synon të formësojë rendin botëror në favor të saj, duke përdorur varësitë ekonomike të vendeve të tjera.
Sipas tij, pretendimi i SHBA-së për udhëheqje globale është sfiduar dhe ndoshta dobësuar. Ai argumentoi se politika e fuqive të mëdha pasqyron shoqëri të trazuar në kohë ndryshimesh revolucionare dhe paralajmëron se kjo situatë teston kufijtë e sistemeve demokratike, duke i shtyrë njerëzit drejt “përgjigjeve të forta dhe të thjeshta”.
Në fund, ai theksoi rëndësinë e burimeve, teknologjisë dhe zinxhirëve të furnizimit në rendin e ri global dhe u bëri thirrje evropianëve ta pranojnë realitetin e ri dhe të përballen me të duke mbrojtur vlerat e tyre.