Një nga dimrat më të ftohtë të dekadave të fundit ka përkeqësuar ndjeshëm situatën në Kiev, ndërsa sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike kanë lënë mijëra banesa pa energji elektrike dhe ngrohje. “The Guardian” ka sjellë dëshmitë e banorëve të Kievit në lagjen Troieshchina, ku temperaturat kanë zbritur në -18°C, ndërsa familjet strehohen në tenda të ngrohura emergjente, ku fëmijët vizatojnë dhe të rriturit ngrohen me çaj, ndërsa karikojnë telefonat.
“Rusia po përpiqet të na thyejë. Është gjenocid i qëllimshëm kundër popullit ukrainas. Putini do që ne të kapitullojmë, në mënyrë që të heqim dorë nga rajoni i Donbasit. Kievi nuk ndihej më parë si një qytet në vijën e frontit. Tani po. Njerëzit po vdesin nga të ftohtit në shtëpitë e tyre në shekullin e 21-të. Ideja është të na detyrojnë të largohemi dhe të krijojmë një krizë të re refugjatësh për Evropën”, thotë Natalya Pavlovna, përcjell A2 CNN.

Apartamenti i saj ndodhet në një nga 2,600 ndërtesat në kryeqytetin ukrainas që aktualisht janë pa energji elektrike ose ngrohje. Kremlini ka bombarduar infrastrukturën energjetike të vendit që nga fillimi i pushtimit të tij në shkallë të plotë gati katër vjet më parë, duke synuar nënstacionet, termocentralet dhe duke kufizuar furnizimin me energji në vetëm disa orë në ditë. Centrali i Darnytskas, që furnizonte një pjesë të madhe të qytetit, është goditur rëndë.
Natalya tha se ndikimi i fushatës ajrore të Vladimir Putinit të kujtonte urinë e viteve 1932-‘33 në Ukrainën Sovjetike, të organizuar nga Stalini, në të cilën humbën jetën miliona njerëz. Fjalët në gjuhën ukrainase janë të ngjashme – holodomor (shfarosje nga uria) dhe kholodomor (vdekje nga të ftohtit). “Putini dëshiron t’i bëjë Kievit atë që i bëri Mariupolit”, tha ajo, duke shtuar se shumë nga ata që po dridheshin në kryeqytet kishin ikur duke luftuar diku tjetër, shkruan A2 CNN.

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën nga hipotermia dhe 1,469 janë shtruar në spital. Për shumë banorë, përballja me të ftohtin ekstrem është bërë pjesë e përditshmërisë në një qytet që po përjeton një luftë të zgjatur dhe shkatërruese.
Disa nëna kanë shkëmbyer këshilla në grupe bisedash rreth akomodimit të lirë jashtë vendit, në Bullgari, Egjipt dhe Greqi. Të tjera kanë vendosur të qëndrojnë.

Ndërkohë zëdhënësi i UNICEF Toby Fricker, raportoi se 45% e shkollave në Kiev janë mbyllur për shkak të mungesës së ngrohjes, duke ndikuar tek mijëra fëmijë. Banorët përdorin zgjidhje improvizuese për t’u ngrohur: ngrohin tulla në soba gazi, vendosin çadra brenda apartamenteve apo përdorin gjeneratorë.

Sipas kompanisë energjetike DTEK, rreth 80% e kapaciteteve prodhuese të Ukrainës janë shkatërruar.
“Nuk është vetëm krizë energjetike, por krizë humanitare dhe kombëtare,” deklaroi drejtori i saj, duke theksuar se vendi është në “modalitet mbijetese”.