Nëse keni një telefon Samsung Galaxy, shpejt do t’ju duket pak i vjetruar. Gjigandi i teknologjisë sapo konfirmoi datën e eventit të radhës Galaxy Unpacked, ku pritet të prezantohen modelet Galaxy S26, S26 Plus dhe S26 Ultra.
Samsung përdor emrin Galaxy Unpacked për eventet ku nxjerr në treg modelet kryesore Android, dhe në njoftimin e fundit ka dhënë mjaft detaje për t’i bërë gjërat të qarta. Sipas njoftimit zyrtar, eventi do të mbahet të mërkurën, 25 shkurt 2026, në San Francisco.
“Bashkohuni me ne te prezantojmë inovacionet më të reja Galaxy – duke hapur një fazë të re në epokën e Inteligjencës Artificiale, ku inteligjenca bëhet personale dhe adaptive,” thuhet në komunikatë. Eventi mund të ndiqet drejt për drejt në kanalin YouTube të Samsung më 25 shkurt në orën 18:00 (koha e Mbretërisë së Bashkuar).
Çfarë pritet nga Galaxy S26
Sipas thashethemeve, Samsung do të prezantojë tre telefona: modelin bazë S26, versionin më të madh S26 Plus dhe S26 Ultra, i cili do të ketë kamerat më të avancuara dhe mbështetje për stilolapsin S Pen. Modeli bazë S26 pritet të ketë tre kamera të pasme, ndërsa S26 Plus do të ofrojë ekran dhe bateri më të madhe.
Të tre modelet pritet të vijnë me Android 16 dhe One UI 8.5, me funksione të reja AI që synojnë të lehtësojnë përdorimin e telefonit.
Një ndryshim i madh mund të prekë përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Europë: ndërsa S26 Ultra pritet të përdorë procesorin Snapdragon 8 Elite Gen 5, modelet S26 dhe S26 Plus në Europë mund të vijnë me Exynos 2600. Këto çipe Exynos janë kritikuar më parë për performancë më të dobët dhe jetëgjatësi të baterisë më të shkurtër krahasuar me versionet Snapdragon në SHBA dhe Kore. Sidoqoftë, Exynos 2600 përdor teknologji 2-nanometra, hera e parë që Samsung nxjerr një çip kaq të avancuar.
Specifikime të pritura
Memoria RAM: minimum 12GB për të tre modelet
Madhësia e ekranit: 6.3” për S26, 6.7” për S26 Plus dhe 6.9” për S26 Ultra
Kamera S26 Ultra: katër kamera të pasme, me aperturë të zgjeruar, përfshirë kamerën kryesore 200MP
Çmimet ende nuk janë konfirmuar, por në bazë të modeleve të mëparshme:
S25 kushtonte £799, po aq sa iPhone 17 dhe Google Pixel 10
S25 Ultra shitej për £1,249, më shtrenjtë se Pixel 10 Pro (£999) dhe iPhone 17 Pro (£1,099)
Ky event pritet të bëjë të duket vjetruar çdo Galaxy i mëparshëm. /GazetaExpress/