Ngrohja e shtëpisë është bërë gjithnjë e më e kushtueshme, por ekspertët theksojnë se kursimi i tepërt në temperatura mund të ketë pasoja për shëndetin. Të ndihesh ftohtë nuk është vetëm e pakëndshme — temperatura e ambientit ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien tonë fizike.
Gjatë dimrit, me gripin, të ftohurën, norovirusin dhe Covid-in në qarkullim, rreziku i infeksioneve rritet. Ndërsa larja e duarve mbetet një nga masat më efektive p arandaluese, specialistët e shëndetit publik theksojnë se mbajtja e trupit dhe e ambientit të ngrohtë është po aq e rëndësishme.
Sipas NHS Inform, një shtëpi shumë e ftohtë mund të kontribuojë në përkeqësim të shëndetit. Në temperatura të ulëta, zemra punon më fort për të ruajtur temperaturën trupore, gjë që rrit presionin e gjakut. Ajri i ftohtë mund të irritojë mushkëritë, ndërsa nyjat mund të bëhen më të ngurta dhe të dhimbshme.
Cila është temperatura minimale e rekomanduar?
Udhëzimet nga NHS, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandojnë të njëjtën temperaturë minimale: 18°C.
Sipas OBSH-së, për vendet me klimë të butë ose të ftohtë, 18°C konsiderohet një temperaturë e sigurt dhe e balancuar për të mbrojtur shëndetin e popullatës gjatë stinës së ftohtë.
Edhe UKHSA këshillon që shtëpia — ose të paktën ambientet që përdoren më shpesh — të ngrohen në minimum 18°C. Nën këtë nivel, fillojnë ndryshime fiziologjike në organizëm, si trashja e gjakut, që mund të rrisin rrezikun për komplikacione shëndetësore.

Po për personat më të rrezikuar?
Jo të gjithë reagojnë njësoj ndaj të ftohtit. Disa grupe janë më të ndjeshme dhe mund të kenë nevojë për temperatura më të larta.
Grupet më të rrezikuara përfshijnë:
Personat mbi 65 vjeç
Individët me sëmundje kronike (zemre, mushkërish apo probleme të shëndetit mendor)
Fëmijët, veçanërisht nën moshën 5 vjeç
Gratë shtatzëna
Personat me lëvizshmëri të kufizuar ose që qëndrojnë kryesisht në shtëpi
Sipas Public Health Wales, për familjet me persona vulnerabël rekomandohet temperatura 23°C në dhomën e ndenjjes dhe 18°C në dhomat e tjera, për të paktën 16 orë në 24 orë.
A të sëmur i ftohti?
Temperaturat e ulëta nuk shkaktojnë drejtpërdrejt infeksione, por krijojnë kushte që i favorizojnë ato. Viruset si gripi dhe Covid-i mbijetojnë më gjatë në ambiente të ftohta dhe të thata, duke rritur mundësinë e përhapjes.
Përveç kësaj, të ftohtit mund të dobësojë mekanizmat mbrojtës të organizmit. Sipas UKHSA, ekspozimi ndaj temperaturave të ulëta ndikon në aftësinë e trupit për të luftuar infeksionet. Kjo është arsyeja pse, pas periudhave me mot shumë të ftohtë, shpesh rritet numri i rasteve të pneumonisë dhe komplikacioneve respiratore.
Mbajtja e temperaturës së shtëpisë në të paktën 18°C gjatë dimrit nuk është vetëm çështje rehatie, por një masë konkrete për mbrojtjen e shëndetit. Për personat më të ndjeshëm, temperatura duhet të jetë edhe më e lartë.
Ngrohja e mjaftueshme, ajrosja e rregullt, higjiena e mirë dhe kujdesi ndaj grupeve vulnerabël janë hapa thelbësorë për të kaluar dimrin sa më shëndetshëm. /GazetaExpress/