Përbërja e kabinetit të Qeverisë Kurti III: Persona me aktakuza, dënime e raportime për përfshirje në skandale - Gazeta Express
string(109) "perberja-e-kabinetit1-te-qeverise-kurti-iii-persona-me-aktakuza-denime-e-raportime-per-perfshirje-ne-skandale"

Lajme

Gazeta Express

12/02/2026 17:54

Përbërja e kabinetit të Qeverisë Kurti III: Persona me aktakuza, dënime e raportime për përfshirje në skandale

Lajme

Gazeta Express

12/02/2026 17:54

Kosova dje u bë me Qeveri të re, pas një viti bllokade politike. Albin Kurti i Vetëvendosjes u zgjodh sërish kryeministër. Por, edhe në kabinetin e ri, gjenden emra që kanë aktakuza, dënime, për disa raportohet se janë përfshirë në skandale dhe të tillë që kishin performancë të dobët.

Qeverita Kurti III përbëhet prej 21 personave me kryeministrin në krye, 19 prej tyre janë ministra (dy nga ta edhe zëvendëskryeministra), një zëvendëskryeministër dhe kryeministri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shumica prej tyre kanë pasur aktakuza, janë dënuar për vepra të ndryshme penale dhe për disa prej tyre ka raportime se janë përfshirë në skandale të ndryshme qeveritare.

Vetë kryeministri Kurti me tre zëvendëskryeministrat e tij kanë pasur ose momentalisht kanë probleme me ligjin, në kuptimin e dënimeve për ndonjë vepër penale apo të ndonjë aktakuze aktive

Kryeministër, Albin Kurti

Albin Kurti që do t’i prijë Qeverisë së re, është dënuar tashmë për dy vepra penale që lidheshin me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Ai në janar të vitit 2018, ishte dënuar me burgim me kusht për dy vepra penale, e që lidheshin me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Derisa, për shkak të ndalesës ligjore, i njëjti nuk ka mundur të jetë në listën për deputet në zgjedhjet e vitit 2021.

Kurti ishte dënuar me dënim unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimit të personit zyrtar”. Kurti asnjëherë nuk ka informuar publikun nëse ka kërkuar rehabilitim ligjor lidhur me dënimin.

Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Jashtëm dhe Diasporës

Glauk Konjufca pas një mandati si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Qeverinë Kurti III u emërua si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Konjufca është një prej ministrave që po përballet me aktakuzë aktive, e cila u ngrit në shkurt të vitit 2017. Ai akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza i ishte ngritur për dy vepra penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, u refuzua akuza.

Ndërsa, përmes vendimit të 27 shkurtit 2025, Gjykata e Apelit ka prishur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kthyer rastin në rigjykim.

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Donika Gërvalla, e cila në Qeverinë Kurti II udhëhiqte Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në Qeverinë Kurti III, u emërua si zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë.

Gërvalla ishte përballur me akuzën për mosdeklarim të pasurisë. Konkretisht, ajo akuzohej se në formularin e deklarimit të pasurisë më 22 mars 2021, nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

Më 19 nëntor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte liruar Gërvallën nga akuza. Përderisa gjyqtari kishte konstatuar se është vërtetuar se veprimet për të cilat ngarkohej Gërvalla nuk përbëjnë vepër penale. Ai kishte theksuar se nga përshkrimi ligjor rezulton se nga mosdeklarimi ose deklarimi i pasaktë i pasurisë së fituar në mënyrë të ligjshme, nga neglizhenca e deklaruesit, paraqet veprim të kundërligjshëm, por nuk tërheq vepër penale. Kurse, Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk kishte ushtruar të drejtën e ankesës ndaj atij vendimi. Këta të fundit kishin vlerësuar se nuk mund të ketë rezultat pasi që Gjykata Supreme ka marrë aktgjykim lirues në një rast tjetër të ngjashëm.

Sidoqoftë, vendimi kishte të bënte mbi atë se ka elemente të veprës penale apo ishte kundërvajtje deklarimi i pasaktë i pasurisë i përshkruar si më lartë dhe nuk ishte kontestuese nëse nuk e ka deklaruar pasurinë ashtu siç kërkohet me ligj.

Sipas një raporti analitik të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), del të jetë se e njëjta është amnistuar si rezultat i një gabimi të Gjykatës Supreme.

Sa i përket performancës në mandatin e kaluar, Gërvalla nuk arriti që të anëtarësonte Republikën e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri i tretë, Fikrim Damka

Fikrim Damka në Qeverinë Kurti II udhëhoqi Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Ndërsa, në vitin 2025 ndaj tij u ngritën dy aktakuza. Në një rast ai akuzohet për korrupsion, kurse në rastin tjetër ngarkohet se ka kryer veprat penale “Sulm” dhe “Kanosje”.

Më 4 korrik 2025, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj tij (sa ishte ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal) dhe ish-ushtruesit të detyrës së sekretariatit të kësaj ministrie, Besim Kamberaj, duke i ngarkuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, më 23 shtator 2025, ishte mbajtur seanca fillestare për këtë rast, ku të akuzuarit Damka dhe Kamberaj u deklaruan të pafajshëm.

Në anën tjetër, në mars 2025, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj Damkës dhe të akuzuarit tjetër F.D., për dy vepra penale “Sulmi” dhe “Kanosja”. Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Damka kishte deklaruar se aktakuza është e pabazë, se është i pafajshëm dhe se kjo do të dëshmohet edhe në gjykatë.

Ministër i Financave, Hekuran Murati

Hekuran Murati do të vazhdojë mandatin e tij si Ministër i Financave, pas votimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Gjatë mandatit të kaluar, Murati ka qenë në qendër të debatit publik për disa vendime me ndikim të drejtpërdrejtë social dhe ekonomik, të cilat janë kritikuar për mungesë të konsultimeve dhe dialogut social.

Një nga çështjet kryesore ka qenë rritja e pensioneve, e cila është ndërmarrë pa konsultim me shoqatat përfaqësuese të pensionistëve, duke nxitur reagime për mënyrën e hartimit të politikave sociale.

Po ashtu, pagat në sektorin publik dhe paga minimale janë përcaktuar pa një proces të gjerë konsultimi publik, sipas sindikatave dhe grupeve të interesit, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe përfshirjen e palëve të interesit.

Murati ka pasur përgjegjësi edhe për funksionalizimin e dialogut social, përfshirë zhvillimin e konkursit për institucionet përkatëse, proces i cili është kritikuar për mungesë të shpalljes së këtij konkursi për disa vite me radhë.

Në këtë periudhë, ai është përballur edhe me kallëzime penale të paraqitura nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBAShK), në lidhje me politikat që prekin sektorin e arsimit.

Ndërkohë, më 15 korrik 2025, Gjykata Supreme e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë.

Gjykata konstatoi se udhëzimi ishte nxjerrë në mungesë të kompetencës, pa miratim të Qeverisë, pa zbatuar rregulloren për standardet minimale për procesin e konsultimit publik dhe pa përmbushur kërkesat ligjore formale për nënshkrim. Po ashtu, akti ishte nxjerrë nga një person që, në momentin e nënshkrimit, ushtronte njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit në detyrë, në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Sipas Gjykatës, nga momenti i certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ai konsiderohej deputet dhe nuk mund të ushtronte kompetenca ekzekutive, çka e bënte udhëzimin juridikisht të pavlefshëm dhe të papranueshëm për zbatim.

Gjithashtu, Murati nuk ka zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme për emërimin e kryeinspektorit të punës, Hekuran Nikçi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Në Qeverinë Kurti II, Xhelal Sveçla ishte në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pozitë të cilën do ta ushtrojë edhe në Qeverinë Kurti III. Ndërsa, deputetja Pacolli nuk kishte qenë e përfshirë në Qeverinë Kurti II, mirëpo për Qeverinë Kurti III ajo u emërua Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Të dy janë të akuzuar në rastin e njëjtë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Aktakuza ndaj tyre, në të cilën përfshihen edhe Salih Zyba e Drita Millaku u ngrit më 29 korrik 2019.

Ata akuzohen se në mars 2018, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit, ku po mbahej seanca plenare. Sipas aktakuzës, si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës. Në këtë rast ata akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Mirëpo, për këtë të fundit, në mars 2024 gjykatësi i rastit kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Në seancën e 16 janarit 2026, Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj Xhelal Sveçlës, i cili mungoi në seancë, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit.

Sveçla, Zyba dhe Pacolli-Dalipi munguan në seancën e 16 shtatorit 2025. Andaj, Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 shtator 2025 ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë ndaj tyre.

Por, në seancën e caktuar për 31 tetor 2025, Pacolli dhe Zyba, kishin deklaruar se kanë arsye të justifikuara për mungesën në seancën pararprake dhe se ato arsyetime do t’i dorëzonin me shkrim. Ndërkaq, sa i përket Sveclës, Gjykata njoftoi se e ka arsyetuar me shkrim mungesën e tij.

Për Pacollin, në janar të vitit 2026 u raportua se ajo u intervistua nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në lidhje me grantet e Ministrisë së Bujqësisë. Derisa u theksua se e njëjta ka qenë Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi.

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Vitia kishte udhëhequr me Ministrinë e Shëndetësisë edhe gjatë Qeverisë Kurti II dhe do ta vazhdojë këtë pozitë edhe në mandatin e Qeverisë Kurti III. Ndërkaq, i njëjti është një prej ministrave që është intervistuar nga PSRK. Mirëpo, rreth këtij intervistimi ende nuk janë dhënë sqarime se për çka bëhet fjalë.

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku

Çeku, në Qeverinë Kurti II udhëhoqi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërkaq tani është në krye të Ministrisë së Arsimit. IKD në raportin e publikuar me titull “Llogaridhënia përballë skandaleve qeveritare”, kishte përfshirë raportimet e medieve se në qershor të vitit 2024, kjo ministri kishte ndarë 257 mijë euro për një organizatë joqeveritare, e cila sipas raportimeve ishte themeluar nga vetë Çeku.

Sipas raportimeve, ku janë prezantuar edhe dokumente zyrtare, kjo përkrahje do i ofrohej kësaj organizate joqeveritare përgjatë tri viteve, 2024 (82,000 euro), 2025 (85,000 euro) dhe 2026 (67,000 euro). Gjithashtu, ishte raportuar se në këtë organizatë ka punuar edhe vëllai i ministrit Çeku.

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
Në Qeverinë Kurti III, në krye të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u emërua Armend Muja.

Në një rast, Armend Muja dhe dy të akuzuar tjerë, akuzoheshin për vepra penale që hyjnë në kapitullin e korrupsionit.

Të njëjtit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 29 janar 2019 i kishte liruar nga disa pika të akuzës, kurse për disa pika të tjera kishte marrë aktgjykim refuzues.

Sa i përket Armend Mujës, për veprën penale për shpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritet, si dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim, Gjykata kishte marrë aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit absolut.

Kurse, përmes vendimit të 26 gushtit 2019, Apeli kishte refuzuar ankesën e ushtruar nga ana e Prokurorisë Speciale, e cila kishte kërkuar nga shkalla e dytë që të anulojë aktgjykimin e Themelores dhe lëndën ta kthejë në rigjykim.

Ministre e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari dhe Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Mimoza Kusari u emërua ministre e Ministrisë së Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Ajo së bashku me Nenad Rashiqin dhe katër tjerë, ka qenë e akuzuar në rastin ne njohur si “Afera e Hidrocentraleve”.

Me aktakuzën e ngritur më 10 prill 2020, ndër të tjera, pretendohej se janë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar dhe se vetëm për qira mujore, dëmi është 1 milion e 54 mijë euro, pasi sipas prokurorisë e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues më 8 nëntor 2022. Kurse aktgjykimin lirues ndaj tyre, e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit në mars të vitit 2023.

Ndërsa, rasti ndaj tyre do të parashkruhej nëse deri më 8 maj 2023 nuk do merrej një vendim përfundimtar nga të gjitha instancat gjyqësore.

Ndryshe, fillimisht në këtë rast kishin qenë të përfshirë edhe 13 persona tjerë, por që gjykata kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale.

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha

Vetëm një ditë pasi Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, në opinion publik u ngritën reagime lidhur me një punim akademik, në të cilin ai figuron si bashkautor.

Në këtë punim përmendet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte financuar jo vetëm nga diaspora, por edhe nga individë të përfshirë në trafik droge, të cilët, sipas tekstit, kishin dërguar mjete financiare dhe persona për të luftuar.

Pas këtyre reagimeve, Basha ka mohuar se ka shkruar ndonjëherë kundër UÇK-së, duke sqaruar se kontributi i tij në atë punim është kufizuar vetëm në një kapitull që trajton islamin radikal, dhe jo çështjet që lidhen me luftën apo financimin e UÇK-së. Më pas, Basha kishte njoftuar se kërkoi largimin e emrit të tij nga ai kapitull që flet kundër UÇK-së.

Ndërkohë, pas votimit të Qeverisë së re, Dimal Basha është emëruar Ministër i Infrastrukturës, duke kaluar nga pozita e kryetarit të Kuvendit në një funksion ekzekutiv.

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Artane Rizvanolli do udhëheq me Ministrinë e Ekonomisë edhe në Qeverinë Kurti III. Mirëpo, në publik u ngritën dyshime se ndikoi në zgjedhjen e kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike.

Bëhet fjalë për publikimin e komunikimeve të saj me Faruk Mujkën. Sipas këtyre raportimeve, ngriten dyshime se e njëjta duke u koordinuar me Mujkën dhe me pjesëtarë tjerë të partisë në pushtet, kishte ndikuar që ky i fundit të përzgjedhej kryeshef i kësaj ndërmarrjeje.

Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri

Rasim Demiri, i emëruar Ministër për Zhvillimi Rajonal, ishte dënuar në vitin 2020 për përdorim të armës. Ai sa ishte deputet, ishte dënuar për një rast ku në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, kishte përdorur armë zjarri, në fshatin Pouskë, shoqëruar me një të akuzuar tjetër.

Pas pranimit të fajësisë, fillimisht ishte dënuar me 4 muaj burgim, por se me pëlqimin e tij dënimi me burg i ishte zëvendësuar me gjobë, në shumën prej 900 euro.

Ndonëse vite më parë Kurti kishte deklaruar se në qeverinë e tij s’do të kishte ministra me aktakuza, përbërja e kabinetit të Qeverisë Kurti III ku përfshihen persona që kanë pasur ose kanë probleme me ligjin, është tregues se nuk qëndron ai parim në praktikë. Madje, edhe në programin zgjedhor të LVV-së premtohej përkushtimi në luftën kundër korrupsionit. /BetimipërDrejtësi

Advertisement
Advertisement
Advertisement