Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka uruar kryeministrin e sapozgjedhur të Kosovës, Albin Kurti, për mandatin e ri, si dhe përbërjen e re qeveritare.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kamberi ka shprehur mbështetjen e tij, duke uruar që ky mandat të jetë i suksesshëm dhe i qëndrueshëm, me arritje konkrete për qytetarët e Kosovës.
Ai ka theksuar rëndësinë e forcimit të drejtësisë, zhvillimit ekonomik, rritjes së sigurisë dhe përshpejtimit të integrimit euro-atlantik.
Kamberi ka nënvizuar gjithashtu pritshmërinë që Qeveria e re ta vendosë çështjen e Luginës së Preshevës në krye të agjendës së saj, përmes dialogut me Serbinë, bashkëpunimit rajonal dhe angazhimit ndërkombëtar për reciprocitet dhe simetri në respektimin e të drejtave të minoriteteve.
Në përfundim, ai i ka uruar suksese ekzekutivit të ri, duke theksuar se pret që qeveria të punojë me vendosmëri për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve të Republikës së Kosovës.
“Urimet më të ngrohta për kryeministrin Albin Kurti dhe gjithë qeverinë e re! Qoftë ky mandat i suksesshëm, i stabilizuar dhe arritje për qytetarët e Kosovës, me drejtësi më të fortë, ekonomi më të zhvilluar, siguri më të lartë dhe integrim euro-atlantik më të shpejtë. Besoj që Qeveria e re do ta vendosë çështjen e Luginës së Preshevës lart në agjendën e saj përmes dialogut me Serbinë, bashkëpunimit rajonal dhe presionit ndërkombëtar për reciprocitet dhe simetri në respektimin e minoriteteve. Suksese qeverisë së re. Le të punojë me vendosmëri për të gjithë shqiptarët, brenda e jashtë kufijve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kamberi.