Shëndeti i rënduar mendor e kishte çuar Katie Newell drejt ngrënies emocionale dhe një diete me shumë kalori, të përbërë kryesisht nga ushqime ultra-të përpunuara, ëmbëlsira dhe patatina.
Në moshën 38-vjeçare, banorja e Liverpoolit arriti në peshën 25 stone – rreth 159 kilogramë (350 paund) – një nivel që e vuri seriozisht në rrezik shëndetin e saj.
Ajo e fillonte ditën me një tas të madh me drithëra të ëmbëlsuara dhe bukë të thekur me shumë gjalpë, më pas konsumonte ushqim të shpejtë për drekë dhe një vakt të bollshëm në mbrëmje. Pranon se shmangte pasqyrat dhe fotot, duke u ndier pa vlerë. Në kulmin e peshës së saj, mezi ecte, ishte në fazë para-diabetike dhe mbante rroba shumë të gjera, në masën britanike 28/30.
Shtimi në peshë, sipas saj, lidhej me probleme të shumta shëndetësore fizike dhe mendore, si dhe me medikamentet që merrte. Katie vuan nga Loin Pain-Haematuria Syndrome (LPHS), një sëmundje e rrallë që prek rreth një në një milion persona dhe karakterizohet nga dhimbje të forta në pjesën e mesit dhe gjak në urinë. Disa nga barnat që përdorte njihen për efektin anësor të shtimit në peshë. Megjithatë, ajo pranon se ishte edhe “ngrënëse emocionale”: hante kur ishte e trishtuar, por edhe kur ishte e lumtur.
Fillimisht u trajtua nga ekipi i menaxhimit të peshës në Spitalin Aintree në Liverpool, ku iu përshkrua një medikament për dobësim. Kur financimi për të u ndërpre, mjekët i propozuan ndërhyrje kirurgjikale. Para miratimit, ajo ndoqi tetë javë klasa edukimi për humbje peshe, ku u njoh me opsionet kirurgjikale dhe rregullat e reja ushqimore, përfshirë teknikën e kafshatave shumë të vogla, përtypjes së gjatë dhe pauzave mes tyre.
Pas vlerësimeve, kirurgët rekomanduan një One Anastomosis Gastric Bypass (OAGB), i njohur si mini-bypass gastrik. Procedura konsiston në krijimin e një “qeseje” të vogël nga stomaku dhe lidhjen e saj me një pjesë të zorrës së hollë përmes një lidhjeje të vetme kirurgjikale. Kjo redukton sasinë e ushqimit që stomaku mund të mbajë dhe ul përthithjen e kalorive.
Operacioni u krye më 18 janar 2025 në një spital privat në Manchester, i financuar nga NHS (Shërbimi Kombëtar Shëndetësor britanik). Para ndërhyrjes, ajo ndoqi për dy javë një dietë shumë të kontrolluar për zvogëlimin e mëlçisë. Rikuperimi zgjati disa muaj dhe javët e para ishin të dhimbshme.
Brenda 12 muajve pas operacionit, Katie humbi 15 stone – rreth 95 kilogramë – duke zbritur në 11 stone e 6 paund, që korrespondojnë me afërsisht 73 kilogramë (160 paund). Ajo nuk është më në fazë para-diabetike dhe raporton përmirësim të dukshëm të kujtesës fizike, lëvizshmërisë dhe gjendjes emocionale.
Kostoja e një bypass-i gastrik në sektorin privat në Britani mund të arrijë deri në 21,000 paund, që janë rreth 24,500–25,000 euro (në varësi të kursit të këmbimit), duke përfshirë ndjekjen shumëvjeçare me dietologë, psikologë dhe kirurgë. Ajo shprehet mirënjohëse që procedura iu financua nga sistemi publik.
Pas operacionit ka përjetuar edhe efekte anësore, përfshirë episode të shpeshta të vjellave, sidomos në muajt e parë. Megjithatë, sot ato janë më të rralla dhe të menaxhueshme. Dieta e saj aktuale përbëhet nga sasi shumë të vogla ushqimi: zakonisht supë dhe fruta gjatë ditës, si dhe një vakt të vogël me mish dhe perime në mbrëmje. Për shkak të dhimbjeve kronike, aktiviteti fizik është i kufizuar, por ajo përpiqet të ecë rregullisht.
Sipas saj, ndërhyrja kirurgjikale është vetëm një mjet; ndryshimi i vërtetë kërkon transformim të marrëdhënies me ushqimin. Ajo këshillon këdo që mendon për humbje peshe të konsultohet me mjekun, pasi ekzistojnë shumë alternativa: programe ushtrimesh, terapi ushqimore, medikamente dhe kirurgji.
Sot, thotë se nuk shmang më pasqyrat apo fotografitë – dhe për herë të parë pas shumë vitesh, ndihet sërish vetvetja. /GazetaExpress/