"Duam të shohim progres në dialogun Kosovë–Serbi", zyrtari i NATO-s: Përgjegjësia e liderëve është kyçe për stabilitetin në Ballkan - Gazeta Express
string(127) "duam-te-shohim-progres-ne-dialogun-kosove-serbi-zyrtari-i-nato-s-pergjegjesia-e-lidereve-eshte-kyce-per-stabilitetin-ne-ballkan"

Lajme

Gazeta Express

11/02/2026 14:41

“Duam të shohim progres në dialogun Kosovë–Serbi”, zyrtari i NATO-s: Përgjegjësia e liderëve është kyçe për stabilitetin në Ballkan

Lajme

Gazeta Express

11/02/2026 14:41

Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi të madhe për Aleancën Veri-Atlantike (NATO-n). NATO ka misionin e saj më të madh ushtarak në Kosovë (KFOR) dhe është e pranishme edhe në vende të tjera të Ballkanit.

Një zyrtar i NATO-s ka deklaruar se Aleanca po i kushton vëmendje të shtuar rajonit të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht duke marrë parasysh trendët shqetësues të viteve të fundit, duke theksuar se udhëheqësit lokalë mbajnë përgjegjësi të madhe për stabilitetin e rajonit.

“Ne shohim disa trende shqetësuese në rajon, veçanërisht në vitet e fundit, të cilat kërkojnë monitorim të kujdesshëm të zhvillimeve”, tha një zyrtar gjatë një takimi me gazetarët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel, shkruan Telegrafi.

Dialogu Kosovë–Serbi dhe Ballkani Perëndimor

Sipas zyrtarëve të NATO-s, qëndrimi i Aleancës është i qartë: angazhimi ndaj Ballkanit Perëndimor mbetet i fortë dhe i palëkundur, dhe nuk do të lejohet krijimi i një boshllëku sigurie në rajon.

“NATO dhe aleatët vazhdojnë të kërkojnë llogaridhënie të plotë për ata që janë përgjegjës për sulmet ndaj KFOR-it në maj 2023 dhe për autorët e dhunës në Banjskë në shtator të atij viti. NATO mbështet plotësisht BE-në në lehtësimin e dialogut dhe shpresojmë se do të shohim përparim në këtë proces, i cili është me rëndësi për paqen dhe sigurinë në rajon”, deklaroi zyrtari i NATO-s, raporton Telegrafi.

Sipas tyre, Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike dhe NATO mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit afatgjatë në rajon, duke përmendur edhe trende të tjera shqetësuese, si fushatat e dezinformimit, kërcënimet hibride, tensionet politike, retorikën përçarëse dhe mungesën e përparimit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Politikanët dhe udhëheqësit vendas kanë përgjegjësi për të ruajtur stabilitetin në vendet e tyre. Për këtë arsye, ne i kemi bërë thirrje lidershipit në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Serbi dhe në Kosovë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, në interes të stabilitetit dhe të asaj që qytetarët e tyre duan të shohin: stabilitet, prosperitet, reforma progresive dhe përparim në proceset e integrimit”, u tha gazetarëve një përfaqësues përpara takimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s më 12 shkurt.

Sipas zyrtarëve të NATO-s është e qartë se zgjidhja “nuk është ushtarake, por përmes dialogut politik”.

“NATO mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës nën udhëheqjen e BE-së dhe shpreson që së shpejti të ketë lëvizje dhe progres, pasi kjo është me rëndësi kyçe për stabilitetin afatgjatë në rajon. Nuk varet vetëm nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe nga akterët në rajon që të ndërmarrin hapat dhe kompromiset e nevojshme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”, tha zyrtari.

Zyrtarët folën edhe për rolin e misionit të KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon.

Sipas tyre, pas vitit 2023, numri i anëtarëve të KFOR-it u rrit me 1,000 ushtarë, ndërsa aktualisht numri i trupave po zvogëlohet gradualisht drejt nivelit para vitit 2023.

KFOR-i është i vendosur në Kosovë për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë, lirinë e lëvizjes, si dhe për të mbështetur praninë civile ndërkombëtare dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Afërsisht 4,636 trupa nga 33 vende kontribuojnë në përmbushjen e objektivave të misionit.

Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria, Turqia dhe Polonia kanë numrin më të madh të personelit ushtarak në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement