Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se ka urdhëruar një rritje shtesë prej 9% të tarifave doganore ndaj Zvicrës, pasi nuk i pëlqeu mënyra se si i foli një zyrtare zvicerane, e cila e kishte telefonuar për t’i kërkuar të tërhiqte masat.
Në një intervistë për Fox Business, Trump tha se e konsideroi tonin e Karina Keller-Sutter, anëtare e Këshillit Federal të Zvicrës, të cilën ai gabimisht e quajti “kryeministre”, si “të përsëritur” dhe “agresiv”.
“Vendosa një tarifë 30%, që është shumë e ulët. Më pas mora një telefonatë urgjente nga, mendoj, Kryeministrja e Zvicrës, dhe ajo ishte shumë agresive, por e sjellshme, megjithatë shumë agresive. Ajo thoshte: ‘Zotëri, ne jemi një vend i vogël. Nuk mund ta bëjmë këtë. Nuk mund ta bëjmë këtë’. Nuk arrija t’ia mbyllja telefonin”, u shpreh ai.
Trump pretendoi se i ishte përgjigjur zyrtares zvicerane se, pavarësisht madhësisë së vogël të vendit, Zvicra ka një deficit tregtar prej 42 miliardë dollarësh ndaj Shteteve të Bashkuara.
“‘Jo, jo, ne jemi një vend i vogël’. Përsëri dhe përsëri dhe përsëri. Nuk arrija t’ia mbyllja telefonin, kështu që ishte 30%. Dhe nuk më pëlqeu aspak mënyra si na foli, prandaj në vend që t’i jepja ulje, e rrita në 39%”, shtoi ai.
Presidenti amerikan pretendoi gjithashtu se Zvicra nuk paguante fare tarifa doganore, ndërkohë që eksportonte produkte në SHBA “në një nivel që askush nuk do ta besonte”.
Deklarata të ngjashme ai kishte bërë edhe disa javë më parë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku u shfaq i pasigurt nëse Zvicra ka kryeministër apo president.
“Mendoj se Kryeministrja, nuk e di, Presidentja, Kryeministrja më telefonoi, një grua. Dhe ishte shumë e përsëritur. Thoshte: ‘Jo, jo, jo, nuk mund ta bëni këtë, 30%. Ne jemi një vend i vogël, shumë i vogël’. Por unë thashë: ‘Mund të jeni të vegjël, por keni një deficit të madh’”, kishte deklaruar ai.
Zvicra nuk ka as kryeministër dhe as president ekzekutiv. Vendi drejtohet kolektivisht nga një Këshill Federal me shtatë anëtarë.