Lëvizja Vetëvendosje nesër do të votojë në pako nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës nga Lista Srpska. Këtë e bëri me dije kryetari i legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i cili tha se ka pasë konsensus nga subjektet politike që në seancën e sotme, të pestë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës të votohen në pako.
Këtë ndryshim të qëndrimit të Vetëvendosjes e cila kishte bllokuar disa seanca para zgjedhjeve të parakohshme duke mos e votuar nënkryetarin nga Lista Srpska e kanë vënë në pah njohësit e çështjeve politike.
Ismet Kryeziu nga KDI tha e quajti populizëm në emër të nacionalizimit që Vetëvendosje e përdor kur i konvenon.
“VV për muaj të tërë e bllokoi dhe vonoi certifikimin e rezultateve dhe konstituimin e Kuvendit, duke sulmuar, etiketuar dhe linçuar publikisht këdo që kundërshtonte narrativën e tyre populiste dhe demagogjike kundër Listës Serbe, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Këtë e bëri për interesa politike të momentit, ndërsa sot, pa asnjë kusht, ka pranuar të votojë kandidatin/en e Listës Serbe në paketë me kandidatët e partive të tjera – pikërisht ashtu siç ka funksionuar kjo praktikë në bazë të rendit kushtetues dhe vlerave demokratike që i kundërshtoi dhe i mohoi. Kjo nuk është politikë, por populizëm në emër të nacionalizmit kur i konvenon, dhe kompromis “parimor” kur i duhet pushteti. Demagogjia politike nuk është patriotizëm, është dëm i drejtpërdrejtë për shtetin dhe për patriotizmin kushtetues, si vlera më e lartë politike dhe qytetare”, tha Kryeziu./Express/